Zëvendëspresidenti Vance në Izrael: Siguria në Gazë prioriteti kryesor, qeverisja e ardhshme mbetet e paqartë

Botë | 1 vit më parë

Zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara, JD Vance, ka refuzuar të japë detaje mbi formën përfundimtare të qeverisjes së ardhshme në Gazë, duke theksuar se vendosja e sigurisë për izraelitët dhe banorët e Gazës është prioriteti kryesor.

JD Vance e bëri këtë deklaratë gjatë një konference shtypi në qendrën e koordinimit SHBA-Izrael për armëpushimin në Gazë.

Vance mohoi se vizita e tij në Izrael këtë javë kishte për qëllim forcimin e marrëveshjes së armëpushimit, e cila u trondit pas sulmeve ajrore të ushtrisë izraelite (IDF) në Gaza, të kryera si përgjigje ndaj sulmit të fundit të Hamasit të dielën që vrau dy ushtarë izraelitë.

Ai tha se vizita e tij kishte qenë e planifikuar për “muaj me radhë” dhe nuk lidhej drejtpërdrejt me ngjarjet e fundit.

Duke përsëritur qëndrimin e presidentit Donald Trump, Vance tha se Uashingtoni nuk do të vendosë një afat të saktë për çarmatimin e Hamasit, por paralajmëroi se “nëse Hamasi nuk respekton marrëveshjen, do të ndodhin gjëra shumë të këqija.”

Lidhur me pyetjen se cili do të jetë “autoriteti përfundimtar në Gazë”, Vance u shpreh: “Nuk e di përgjigjen e kësaj pyetjeje.”

Ai shtoi se SHBA-ja po punon për një strukturë qeverisëse që është “shumë fleksibël ndaj zhvillimeve të ardhshme në terren”.

Sipas tij, përparësi aktuale është krijimi i një mjedisi të sigurt për të dyja palët.

“Pasi të kemi arritur një pikë ku si banorët e Gazës, ashtu edhe miqtë tanë izraelitë të kenë një nivel sigurie, atëherë do të shqetësohemi për qeverisjen afatgjatë të Gazës. Le të fokusohemi te siguria, rindërtimi, sigurimi i ushqimit dhe ilaçeve”, u shpreh më tej Vance.

Vizita e Vance vjen në një moment tensioni të lartë, pas sulmit të Hamasit në Rafah dhe kundërpërgjigjes izraelite, që shkaktuan dhjetëra viktima.

Armëpushimi i ndërmjetësuar nga SHBA-ja, i cili përfshin lirimin e pengjeve dhe ndihmat humanitare, mbetet i brishtë, me të dyja palët që akuzojnë njëra-tjetrën për shkelje të marrëveshjes.

Vance pritet të takohet me zyrtarët izraelitë dhe familjarët e pengjeve për të diskutuar hapat e ardhshëm drejt zbatimit të fazës së dytë të marrëveshjes, e cila parashikon tërheqjen e plotë të Izraelit nga Gaza dhe çarmatimin e Hamasit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme