Zgjedhja e Presidentit të ri të Kosovës – Bisedime mes partive të mëdha për Kreun e ri të Shtetit

Ndërsa afrohet afati për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës, kryeministri Albin Kurti zhvilloi takime me kryetarin e Partisë Demokratike Bedri Hamza dhe atë të Lidhjes Demokratike Lumir Abdixhiku. Ai u shpreh se nuk sheh gatishmëri për zgjedhje të reja për çështjen e kreut të ri të shtetit.
“Duhet ta gjejmë një emër të përveçëm që na garanton të jenë së paku 2/3 e deputetëve të qëndrojnë në sallë dhe të votojnë ose subjektet politike të merren vesh me njëra tjetrën për rrugën përpara. Për të pasur sukses zgjedhja e presidentit shfaqet e nevojshme të kemi 84-85 deputetë. Prandaj na duhet një shumicë që i afrohet 85. Kjo nuk është situatë e lehtë, por në vijim do të intensifikojmë bisedimet që ta kemi një zgjidhje për çështje të presidentit, për shkak se përshtypja është se subjektet politike konsiderojnë që pas atyre katër palë zgjedhjeve nuk do të duhej që edhe në 2026 gjysmën e parë të na marrin zgjedhjet e reja.”, u shpreh Kurti.
Sipas kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku për zgjedhjen e presidentit duhet marrëveshje ose konsensus i gjerë politik.
“Dakordimi i përgjithshëm është se janë dy rrugë, marrëveshje ose konsensus i gjerë politik. Të dyja duan 85 vota.”, tha Abdixhiu.
Ndërkaq deputeti i PDK-së Enver Hoxhaj tha se mbështet një emër për president nga familja Jashari.
“Një kandidature që vjen nga familja Jashari në Kuvend të Kosovë unë do t’i thoja personalisht çdoherë po, por vendimi është i Kryesisë së PDK-së.”, theksoi Hoxhaj,
Presidentes Vjosa Osmani i përfundon mandati më 4 prill, ndonëse ka shprehur ambicien për një mandat të dytë. Kreu i ri i shtetit duhet të zgjidhet deri më 4 mars, në të kundërt Kosova duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




