Zgjedhjet e 11 majit, Celibashi urdhëron mbylljen e disa zyrave zgjedhore në Dibër, Fier, Kamzë, Këlcyrë, Korçë, Përmet, Pukë dhe Tiranë

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, në seancën e të hënës shqyrtoi 21 raporte për shkeljet e depozituara nga monitoruesit e fushatës zgjedhore për periudhën 24-28 prill 2025.
Sipas raportit të depozituar në KQZ, në kundërshtim me nenin 5, pika 1 e udhëzimit nr. 6, datë 23.3.2021 të KSHZ, subjektet zgjedhore: Koalicioni “Partia Demokratike-Aleanca për Shqipërinë Madhështore” kanë hapur zyra zgjedhore në bashkitë Dibër, Fier, Kamzë, Këlcyrë, Korçë, Përmet, Pukë dhe Tiranë.
Partia Mundësia, ka hapur zyra zgjedhore në bashkitë Kukës dhe Gjirokastër.
“Koalicioni Euroatlantik” ka hapur zyra zgjedhore në bashkitë Gjirokastër, Kamzë dhe Tiranë.
“Partia Socialdemokrate e Shqipërisë” ka hapur zyra zgjedhore në bashkitë Tiranë dhe Kamzë.
Komisioneri u la afat subjekteve 24 orë për mbylljen e zyrave zgjedhore, ndërkohë subjekteve zgjedhore “Partia Mundësia dhe “Koalicioni Euroatlantik” u la kohë të depozitojnë prova/dokumente, të cilat vërtetojnë që janë selitë e degëve të partive të tyre dhe jo zyra zgjedhore.
“Gjithashtu u shqyrtua denoncimi nr. 137 ID/2025, ku në Bashkinë Durrës, njësia administrative Fllakë, janë identifikuar materiale propagandistike të Koalicionit “PD-ASHM”, të afishuara në shtyllat elektrike, në kundërshtim të nenit 3, pika 2 e udhëzimit nr. 6, datë 23.3.2021, të KSHZ. U kërkua heqja e materialeve propagandistike nga shtyllat elektrike të lartpërmendura. Gjithashtu, u shqyrtua raporti i Autoritetit të Medias Audiovizive të pasqyrimit të fushatës zgjedhore nga OSHMA-të, për periudhën 17-23 Prill 2025”. AMA konstaton Bulevard Tv dhe 6+1 TV, kanë transmetuar reklama jashtë fashave orare të lejuara, ndërsa Shijak TV në emisionet mbi procesin zgjedhor ka aplikuar ndarjen e ekranit gjatë transmetimit dhe në një prej ndarjeve ka vendosur në mënyrë të pandërprerë postera të kandidatëve për deputet. Komisioneri kërkoi të administrohen pretendimet e OSHMA, për të vijuar me vendimmarrjen në seancën e radhës.”, thuhet në njoftimin për shtyp.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




