Zgjedhjet e 11 majit, KQZ dërgon 16 kandidatë për verifikim në prokurori

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar vendimin për të dërguar për verifikim në Prokurorinë e Përgjithshme, 16 kandidatë për deputetë për zgjedhjet e 11 majit.
Kjo procedurë ndiqet në kuadër të ligjit të dekriminalizimit.
“Dërgimi pranë zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm i këtyre rasteve për një verifikim të thelluar jodomosdoshmërisht presuzopon që ndonjëri prej tyre mund të jetë në kushtet e ndalimit, por në deklarimet që kanë bërë janë shkak ligjor për ne që të vijojmë me këtë procedurë,” u shpreh kryetari i KQZ-së, Ilirjan Celibashi.
Komisioni Zgjedhor gjithashtu votoi projektvendimin për prodhimin e rreth 250 mijë fletëve të votimit për shqiptarët nga diaspora, vota e të cilëve do numërohet tek Parku Olimpik në Tiranë.
“Duke filluar nga data 5 prill do të jetë në gatishmëri të plotë teknike për të kryer më së pari procesin e përgatitjes së dokumentacionit zgjedhor dhe dërgimin e këtij dokumentacioni tek votuesit jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë,” tha z. Celibashi.
Italia është shteti që kryeson me regjistrimet nga e votuesve nga jashtë, konkretisht 91.210 zgjedhës, ndjekur nga Greqia me 68.292 zgjedhës, Gjermania me 25.491 zgjedhës, SHBA-ja me 20.669 zgjedhës dhe Britania e Madhe me 17.583 zgjedhës nga diaspora shqiptare.
Gazetare: Jonida Omeri
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




