Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë – Mbyllet votimi, KQZ: Pjesëmarrja 44.29%

Kosovë | 10 muaj më parë

Ka përfunduar procesi i votimit në Kosovë.

1,999,024 qytetarë kanë pasur të drejtë për të hedhur votën, ndërsa deri në orën 19:00 kanë votuar gjithsej 885.514 qytetarë, që përfaqëson 44.29% të trupit votues.

Procesi zgjedhor u zhvillua në 948 qendra të votimit, me gjithsej 2.614 vendvotime, prej të cilave 910 qendra me 2.557 vendvotime për votimin e rregullt dhe 38 qendra me 57 vendvotime për të mundësuar votimin me kusht.

Në garë për të zgjedhur anëtarët e organit legjislativ të vendit ishin 24 subjekte zgjedhore, mes të cilave 18 janë parti, 3 koalicione parazgjedhore, dy iniciativa qytetare dhe një kandidat i pavarur.

Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate, në këto zgjedhje hynë pa koalicione zyrtare. Lëvizja Vetëvendosje ishte me koalicion me GUXO, Alternativën dhe Partinë Shqiptare Demokristiane.

Krerët e LVV-së, PDK-së, LDK-së, AAK-së dhe Nismës janë kandidatët që partitë e tyre kanë propozuar për kryeministrin e ri të vendit.

Këto janë zgjedhjet e dyta parlamentare në Kosovë, pasi vendi u përball me një krizë kushtetuese për shkak se asnjëra prej partive politike nuk arriti dot shumicën e nevojshme për të qeverisur vendin.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme