Zgjedhjet Lokale në Kosovë – KQZ shpërndan materialet zgjedhore në komuna
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se ka filluar shpërndarja e materialeve zgjedhore për Zgjedhjet Lokale në Kosovë, të cilat do të mbahen të dielën, (12 tetor). Shpërndarja ka nisur nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve, prej nga materialet do të dërgohen në të gjitha qendrat e votimit në komunat e Kosovës.
Sipas njoftimit të KQZ-së, janë ndërmarrë të gjitha masat për përgatitjen dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Qytetarët do të kenë mundësi të votojnë për kryetarin e komunës dhe për përfaqësuesit e tyre në Kuvendet Komunale.
Të gjitha qendrat e votimeve do të hapen nesër në orën 07:00 dhe do të qëndrojnë të hapura deri në orën 19:00.
Për votuesit që do të realizojnë të drejtën e tyre përmes votimit me kusht, KQZ ka caktuar 38 qendra të tilla në nivel vendi, me gjithsej 54 vendvotime të dedikuara për këtë proces. Votimi me kusht lejohet vetëm brenda komunës ku është i regjistruar votuesi.
KQZ u bën thirrje të gjithë qytetarëve me të drejtë vote që të marrin pjesë në procesin zgjedhor dhe të shfrytëzojnë të drejtën e tyre demokratike për të zgjedhur përfaqësuesit lokalë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




