Zgjedhjet në Australi – Albanese kërkon një mandat të dytë përballë opozitarit Dutton
Australia mbajti zgjedhjet e përgjithshme këtë të shtunë, ku mbi 18 milionë persona votuan për të zgjedhur kryeministrin e ardhshëm. Më shumë se një e treta e tyre kanë votuar para kohe, tha autoriteti zgjedhor, ndërsa votimi është i detyrueshëm, duke parashikuar një pjesëmarrje që kalon 90 për qind.
Votuesit e rinj pritet të luajnë një rol vendimtar në garën mes kryeministrit Anthony Albanese të Partisë Laburiste Australiane, i cili po kërkon një mandat të dytë dhe udhëheqësit të opozitës Peter Dutton të koalicionit Liberal-Nacional.
Në fletën e votimit kishte edhe një sërë kandidatësh të pavarur, të cilët mund të jenë vendimtarë për krijimin e qeverisë së ardhshme. Kostoja e jetesës, problemet me kujdesin shëndetësor publik, strehimi i papërballueshëm por edhe tarifat tregtare të presidentit amerikan Trump, ishin temat që mbizotëruan gjatë fushatës elektorale 36-ditore.
62-vjeçari Albanese ka premtuar të përqafojë energjinë e rinovueshme, të trajtojë krizën e strehimit dhe të investojë në sistemin shëndetësor. Udhëheqësi i Partisë Liberale Dutton synon të ulë imigracionin, të luftojë më ashpër krimin dhe gjithashtu që vendi të heqë dorë nga ndalimi i përdorimit të energjisë bërthamore. Rezultatet zyrtare mund të duhen ditë ose javë, por rezultatet paparaprake jozyrtare nga komisioni zgjedhor zakonisht tregojnë se kush do ta formojë qeverinë e ardhshme.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




