Zgjidhja e ngërçit në Kosovë, Begaj: Bashkëpunimi politik, domosdoshmëri. Spiropali: Të rifillojmë bashkëpunimin e ngushtë

Kosovë | 1 vit më parë

Politika shqiptare ka përshëndetur zgjidhjen e ngërçit politik në Kosovë, duke uruar Dimal Bashën për zgjedhjen në krye të Kuvendit. Në një postim në rrjetet sociale, Presidenti Bajram Begaj thekson rëndësinë e bashkëpunimit politik dhe institucional, duke uruar që të vijojë në Kosovë.

“Urime, z. Dimal Basha, për zgjedhjen në krye të Kuvendit të Kosovës! Bashkëpunimi politik dhe institucional është një domosdoshmëri që uroj dhe shpresoj të vijojë në të mirë të Kosovës e qytetarëve të saj”, shkruan Begaj.

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, teksa përgëzon Kuvendin e Kosovës, shkruan se pret të rifillojë bashkëpunimin “e ngushtë vëllazëror” mes dy Kuvendeve.

“Urime e sukses Kryetarit të ri, të sapozgjedhur, të Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha! Përgëzime Kuvendit të Kosovës, për çeljen e rrugës për ndërtimin e institucioneve të reja demokratike pas zgjedhjeve. Mezi pres të rifillojmë bashkëpunimin e ngushtë vëllazëror mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Kuvendit të Kosovës, për të mirën e qytetarëve tanë, për mbështetjen e integrimit euroatlantik të dy vendeve tona, dhe garantimin e mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në rajon”, shkruan Spiropali.

Dimal Basha u zgjodh në krye të Kuvendit të Kosovës me 73 vota pro, duke i hapur rrugë konstituimit të Kuvendit dhe formimit të qeverisë së re. Po ditë e sotme, deputetët pritet të mblidhen për të zgjedhur edhe 5 nënkryetarët. Me emërimin e 5 nënkryetarëve, Kuvendi i Kosovës arrin konstituimin e plotë të tij.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme