Zjarr i qëllimshëm në Selenicë, arrestohet 43-vjeçari. Për shuarjen e flakëve u punua gjatë natës
Zjarrvënia është një vepër penale e qëllimshme që shkakton jo vetëm dëme në pasuri, por edhe rrezik për jetën. Në stinën e verës, si pasojë e rritjes së temperaturave, janë shënuar jo pak raste.
Më i fundit u shënua në fshatin Drashovicë, Selenicë, ku një 43-vjeçar, në vendin e quajtur “Fshati i Vjetër”, ndezi zjarr në mënyrë të qëllimshme pas një konflikti me një bashkëfshatar. Si pasojë u dogj një sipërfaqe e mbjellë me ullinj, ku u rrezikuan edhe bagëtitë e imta.
43-vjeçari që ndezi zjarrin në sipërfaqen me ullinj është arrestuar nga policia e Vlorës, ndërsa për shuarjen e vatrave u angazhuan forcat e armatosura dhe shërbimi zjarrfikës lokal, të cilët, sipas Ministrisë së Mbrojtjes, u përballën me një numër të konsiderueshëm vatrash të reja, që qartazi ishin pasojë e zjarrvënies së organizuar.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, vatra e zjarrit në Dukat është shuar tërësisht dhe nën monitorim e kontroll janë fshatrat Drashovicë dhe Vajzë e Selenicës. Ministria e Mbrojtjes vë theksin se forcat operacionale do të mbeten të angazhuara në terren për të siguruar banesat dhe pronat e qytetarëve, ndërsa nga ana e Policisë së Shtetit apeli shkon për të gjithë qytetarët që të mos ndezin zjarre në asnjë rast, pasi do të përballen me ligjin.
Ndërkohë, edhe në Gramsh është arrestuar një 26-vjeçar pasi është kapur nga policia duke ndezur zjarr në pyllin e fshatit Bërsnik i Poshtëm, ku nga përhapja e flakëve u dogj një sipërfaqe dhe u vunë në rrezik banesat.
Gjithashtu, Policia fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 çdo rast zjarrvënieje ose paligjshmërie, duke garantuar reagim të menjëhershëm dhe të paanshëm nga institucionet përkatëse.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




