Zjarret në vend, Kryeministri Rama: Zjarrvënësit e qëllimshëm do marrin dënimin më të rëndë të ligjit
Në një moment kur disa qarqe të vendit po përballen me situata kritike prej zjarreve, Kryeministri Edi Rama ka reaguar duke paralajmëruar të gjithë personat që ndezin zjarre qëllimisht, duke rrezikuar jetë njerëzish, se do të përballen me forcën e ligjit.
“Ata që ndezin zjarre qëllimisht, shkatërrojnë pasurinë dhe rrezikojnë jetë, në këtë kohë të vështirë ngrohjeje globale dhe flakësh që po sfidojnë të gjitha shtetet e Mesdheut sidomos, duhet të marrin dënimin më të rëndë që parashikon ligji”, shkruan Rama ndërsa ka shprehur mirënjohjen për të gjitha forcat zjarrfikëse, të ushtrisë e vullnetarë të cilët prej ditësh janë në luftë me flakët.
“Falenderim, respekt, mirënjohje me zemër për zjarrfikësit, forcat e ushtrisë, policinë, vullnetarët dhe banorët që po përballen me flakët, duke rrezikuar jetën për të mbrojtur njerëzit, shtëpitë dhe natyrën tonë”, shkruan Rama në rrjetin social Facebook.
Gjithashtu kryeministri u ka bërë apel banorëve që të tregohen të kujdesshëm dhe të ndjekin këshillat e autoriteteve dhe të raportojnë për çdo vatër zjarri pa qenë vonë.
“Dy ditë e netë ekstremisht të vështira, ku forcat zjarrfikëse të bashkive, Emergjencat Civile, Forcat e Armatosura po përballen me zjarre të mëdha në Skënderbegas, Sojnik të Gramshit, Koshtan të Memaliajt, në Hormovë, Kodër e Lekël të Tepelenës, në kufi me Gjirokastrën, Dhivër, Kakodhiq në Finiq, si dhe në Dropull në kufi me Delvinën, ku rreziku dhe flakët kanë qenë të pamëshirshme.
Falë guximit vetëmohues dhe angazhimit total të të gjitha forcave në terren, është arritur fatmirësisht që zjarret të vihen nën kontroll, ndërkohë që vazhdon puna papushim drejt shuarjes së tyre dhe gatishmëria maksimale për çdo riaktivizim të mundshëm apo vatra të reja.
Thirrje të gjithë banorëve të tregohen të kujdesshëm, të sinjalizojnë çdo vatër zjarri para se të jetë vonë dhe të ndjekin këshillat e autoriteteve, ndërsa për kriminelët që luajnë me flakët, ndëshkimi do të jetë maksimal”, shkruan Rama.
Prej disa ditësh, vendi ynë po përballet me zjarret, të cilat kanë vënë në rrezik jetën e qytetarëve, e duke djegur disa banesa. Një viktimë u regjistrua dje (12 gusht) në Gramsh, si pasojë e zjarrit të ndezur në kopshtin e tij, e të përhapur më pas në fshatra të tjerë e favorizuar prej erave.
Po ashtu, ditën e sotme, janë riaktivizuar disa vatra zjarri në Delvinë, ndërsa 4 banesa janë djegur totalisht.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



