Zjarret në vend- Ministria e Mbrojtjes: 34 vatra në 24 orë, 5 ende aktive. Vijon beteja me flakët në Malin e Dajtit

Ministria e Mbrojtjes ka informuar se gjatë 24 orëve të fundit në territorin e vendit janë raportuar 34 vatra zjarri, nga të cilat 5 vijojnë të jenë aktive dhe 4 janë nën mbikëqyrje.
Ministria njofton se fokusi kryesor i ndërhyrjeve mbetet Mali i Dajtit, ku zjarret vijojnë aktive pas disa riaktivizimeve në të dyja anët e kreshtës. Operacioni vijon edhe sot me përforcimin e 50 efektivëve të Forcave të Armatosura, ndërsa në terren janë angazhuar edhe forca zjarrfikëse dhe të ADZM-së. Mbështetja nga ajri po realizohet me një helikopter dhe dy avionë Air Tractor.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, aktualisht nuk ka rrezik për zonat e banuara ndërsa bën të ditur se në operacionet për përballimin e situatës janë angazhuar 219 forca operacionale dhe 35 automjete zjarrfikëse. Forcat e Armatosura kanë mbështetur operacionet me 60 efektivë, një helikopter dhe dy avionë Air Tractor.
Në qarkun Dibër vijojnë aktive dy vatra zjarri. Në Ballenjë–Kostenjë operacioni po vijon me angazhimin e 6 forcave të AZM Dibër, ndërsa vatra në Qafë të Helmës, në Bulqizë, vijon të monitorohet. Edhe në këto raste nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.
Në qarkun Elbasan vijojnë aktive vatrat në Malin e Dardhës, në Librazhd, ku është shënuar riaktivizim, si dhe në Malin e Qukësit, në Prrenjas. Në terren janë angazhuar efektivë të MZSH Librazhd, ndërsa autoritetet bëjnë me dije se nuk rrezikohen zonat e banuara.
Ndërkohë, situata paraqitet më e përmirësuar në Pukë. Në Gjegjan, Gojan i Vogël, Gojan i Madh, Prozhëm dhe Tërbun nuk ka më vatra aktive, ndërsa zonat vijojnë të mbahen nën mbikëqyrje.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin e pandërprerë të situatës në të gjithë territorin e vendit, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e Mbrojtjes Civile.
Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për të ndërhyrë aty ku situata e kërkon, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



