Zyra e Prokurorit të Specializuar përmbyll paraqitjen e provave në rastin Thaçi e të tjerët

Kosovë | 2 vite më parë

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka përmbyllur paraqitjen nga ana e saj të provave në gjyqin ndaj ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Teksa gjyqi filloi më 3 prill 2023, në procesin e paraqitjes së provave të saj, ZPS-ja thirri për të dhënë dëshmi drejtpërdrejtë në sallën e gjyqit 125 dëshmitarë.

ZPS-ja paraqiti rreth 3 mijë prova materiale në shumë gjuhë. Dhe ZPS-ja  ka bërë deri më sot 1 430 parashtresa lidhur me këtë çështje gjyqësore.

Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi akuzohen për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, përfshirë vrasjen e më shumë se 100 viktimave si dhe mbajtjen në paraburgim në mënyrë të paligjshme e torturimin e qindra viktimave, transmeton RTK.

Sipas aktakuzës, krimet u kryen kundër qindra civilëve dhe individëve që nuk ishin pjesëmarrës në luftime në një periudhë prej të paktën marsit të vitit 1998 deri në shtator të vitit 1999 në shumë vende në të gjithë Kosovë dhe në Shqipërinë e veriut.

Në këtë gjyq janë pjesëmarrës më shumë se 150 viktima dhe ata përfaqësohen nga Avokati i Viktimave.

Prokurorja e Specializuar Kimberli Uest (Kimberly West) ngriti lart kurajën e viktimave dhe dëshmitarëve që dhanë dëshmi në këtë gjyq gjatë dy viteve të shkuara.

“Gatishmëria e dëshmitarëve për të dëshmuar ishte jashtëzakonisht e rëndësishme dhe unë duartrokas kurajën e tyre, që dhanë dëshmi në sallën e gjyqit,” tha Prokurorja e Specializuar.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme