11 maji, Rama: Vendi në moment historik, mund të shkojmë në 1 milion vota me mbështetjen e emigrantëve

Politikë | 2 vite më parë

Kryeministri Edi Rama është shprehur i bindur për fitoren e Partisë Socialiste në zgjedhjet e 11 majit, duke theksuar se të gjitha sondazhet tregojnë një avantazh të qartë për PS-në. Gjatë rubrikës së tij “Sy m’Sy” ai deklaroi se “shumica e qytetarëve e shohin PS-në si forcën fituese”.

Rama kritikoi ashpër disa deklarata mediatike ku tha se nxisin një perceptim negativ dhe përhapin një narrativë të shtrembëruar për Shqipërinë

“Jemi në fazën kur rruga drejt 11 majit po shkon drejt finishit dhe disa gjëra janë kthjelluar si për shembull kush i fiton zgjedhjet në të gjitha sondazhet e është shumë e qartë se pyetjet kush i fiton zgjedhjet ka një shumicë më të madhe se sa ajo që voton Partinë Socialiste që thotë i fiton PS. Jemi në kushtet kur një dëshpërim shumë të madh në anën tjetër, një dëshpërim që reflektohet në pasqyrat e kënetës mediatike. Në pasqyrat e kënetës mediatike ka shumë ankesa, pretendime se jetohet në një autokraci.

Faktikisht horizontalisht nuk lihet gjë pa thënë për mua, për qeverinë dhe për PS që është forca që qeveris, madje edhe për vetë popullin. Populli në këta pasqyra mediatike citoj thonë është “i sëmurë”.  Është i sëmurë se në shumicën dërrmuese mendon se vendi po ecën në drejtimin e duhur, është një popull i sëmurë se shikon se në të gjitha aspektet ka progres, në të gjithë sektorët ka progres patjetër që ka ende shumë për të bërë prandaj jemi këtu dhe kërkojmë mandatin e katërt”, tha Rama.

Kryeministri u ndal edhe te votimi i diasporës, ku tha se PS mund të marrë rreth 1 milionë vota bashkë me ato të emigrantëve, që votojnë në këto zgjedhje për herë të parë. Rama theksoi se Shqipëria ndodhet në një moment historik dhe kërkoi mandatin e katërt për të vijuar, siç tha, rrugën e progresit.

“Të shkosh me kënetën dhe të mos kuptosh momentin historik që ka sot Shqipëria është një problem shumë të madh. 800 e kusur mijë, që mund të shkojë 900 e kusur mijë afro 1 milionë këtë herë, nëse do t’u mundësohet të gjithë emigrantëve vota e tyre. Këneta do thonë prapë se i kam blerë unë”, tha Rama.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme