11-vjeçarja me 23 operacione në trup tregon sfidat e saj, nëna bën thirrje për shërbime shëndetësore dhe strehim
Është vetëm 11 vjeçe dhe në trupin e saj ka përballuar mes dhimbjesh të forta 23 ndërhyrje kirurgjikale për shkak të një sëmundje të lindur të zhvillimit që quhet “Spina Bifida”, që pamundëson mbylljen e plotë të tubit nervor embrional në shtyllën kurrizore, ku disa unaza të palcës nuk mbyllen gjatë lindjes.
Me tre aparate në kokë që i bëjnë drenazhimin për shkak të hidrocefalisë që ka, me hekura në legen, me ndërhyrje në shtyllë për shkak të skoliozës që po i rrezikonte jetën nga shtypja e brinjëve, ajo ndjek edhe shkollën edhe pse vështirësitë ja bëjnë të pamundur ditën.
“Rrugët janë të këqija, shkolla nuk ka tualete për mua, vjen mami dhe me ato kushte që ka shkolla. Mami më vendos pampers dhe jo çdo herë ma ndërron,” shprehet Elona.
Nëna e saj, krejt e vetme në këtë betejë, nuk e lë dot asnjë minutë vetëm pasi vajzën e kapin edhe krizat e epilepsisë:
“Elona në shkollë mund të rrijë dy – tre orë dhe e kap epilepsia. Unë rri përjashta e pres në oborr gocën, sepse mësueset e kanë me frikë për shkak të epilepsisë,” tha nëna e saj.
“Kur më kap epilepsia, më kap krahun, më mpihen buzët, më kap kompleksi këtu dhe më vjen mami dhe më jep ilaçet,” shprehet vajza.
E divorcuar, pa strehim, mbahet me një bonus qeraje nga shteti.
“Ajo bonus qeraje mua më sjell vit pas viti shumë probleme, ku më duhet të bëj dokumente. I bëj thirrje të strehojnë në një shtëpi,” apeloi ajo.
E mbështetur për ndërhyrjet e vajzës nga qendra “Lumturo Dhimbjen”, nëna numëron nevojat e vazhdueshme të vajzës, ndërsa 11 vjeçarja dëshiron që të ëmës t’i thahen lotët. “Mami qan dhe lodhet me mua. Dua që mami të jetë shumë e lumtur”.
Elona dëshiron të bëhet doktoreshe dhe një ditë të ngrihet në këmbë e ta marrë të ëmën prej dore. “Endrra ime është që të eci”, shprehet Elona.
Gazetare: Sonila Mlloja
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




