26 vite nga bombardimet e NATO-s ndaj Serbisë, Kurti homazhe për të rënët në masakrën e Therandës

Kosovë | 2 vite më parë

Sot, më 24 mars 2025, shënohen 26 vjet nga nisja e bombardimeve të NATO-s, një moment historik që shpëtoi mijëra jetë dhe ndihmoi në ndalimin e gjenocidit dhe spastrimit etnik të popullsisë shqiptare në Kosovë nga regjimi i Sllobodan Millosheviçit. Pas dështimit të bisedimeve dhe refuzimit të Serbisë për të nënshkruar Marrëveshjen e Rambujes, Aleanca Veri-Atlantike nisi bombardimet ndaj pozicioneve strategjike të ushtrisë serbe.

Bombardimet filluan në orën 19:45, më 24 mars 1999, dhe përfunduan më 10 qershor të po atij viti, kur u miratua Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, e cila mundësoi kthimin e mbi 800.000 refugjatëve kosovarë. Ky akt i NATO-s shënoi një kthesë të madhe për ruajtjen e lirisë dhe të drejtat e shqiptarëve të Kosovës.

Po ashtu, këto ditë marsi përkujtohen edhe tragjeditë e tjera, si masakra e Therandës më 26 mars 1999, ku forcat serbe ekzekutuan 48 shqiptarë, shumica të familjes Berisha. Kjo masakër ishte një nga shumë aktet e dhunshme që shoqëruan periudhën e luftës në Kosovë, ku shumë shqiptarë humbën jetën dhe u detyruan të linin shtëpitë e tyre.

Kryeministri Albin Kurti dhe shumë figura publike bëri homazhe pranë varrezave të viktimave në Tërnje, duke theksuar se “gjaku i dëshmorëve është në themelet e Republikës”, dhe duke kujtuar çmimin e lartë që është paguar për lirinë e Kosovës. Bashkë me Kurtin, ishin të pranishëm edhe deputetë, familjarë të dëshmorëve, si dhe veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme