Celibashi: Vota e diasporës 100% e sigurt, fleta jepet në dorë ose kthehet në KQZ

Politikë | 2 vite më parë

Për herë të parë, diaspora do të ketë mundësi të ushtrojë të drejtën e saj për të votuar në zgjedhjet e 11 majit, ndërsa kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi ka bërë me dije se procesi i dërgimit të fletës së votimit është “100% i sigurt”.

I ftuar në emisionin “Zëri i Diasporës” të gazetares Edlira Prendi në RTSH 24, Celibashi tha se vota do të dërgohet përmes shërbimit postar rekomande, një shërbim postar që ofron një nivel të lartë sigurie.

Kreu i KQZ-së theksoi se shërbimi postar ka detyrimin që fletën e votimit ta dorëzojë në dorën e individit personalisht, jo te ndonjë familjar. Në rast se diçka e tillë nuk ndodh, fleta e votimit rikthehet sërish në KQZ.

“Kjo është e sigurt 100%, sepse fleta e votimit do të dërgohet me postë-rekomande nga KQZ për këdo votues. Operatori i shërbimit postar që besoj se do të jetë një nga emrat ndërkombëtarë të postës, ka detyrimin ta dorëzojë në dorën e individit personalisht fletën e votimit dhe pjesën tjetër të dokumentacionit. Nëse kjo nuk do të jetë e mundur, fleta e votimit do të kthehet sërish në KQZ. Pra nuk mund t’ja lërë fletën e votimit një familjari”, tha Celibashi.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme