Meta në listën e Tiranës? PD negociata me aleatët për kandidatët për deputetë

Ndërsa kanë mbetur vetëm pak muaj nga mbajtja e zgjedhjeve parlamentare, partitë e koalicionit opozitar do të duhet të gjejnë kompromisin me partinë më të madhe, Partinë Demokratike, për t’u përfaqësuar me një listë kandidatësh për deputetë.
Fatmir Mediu gjykon se përfaqësimi i aleatëve duhet të ketë si bazë peshën elektorale të secilës parti.
“Unë mendoj që mënyra më e mirë për të organizuar një koalicion është vlerësimi i gjendjes aktuale të partive politike për atë çka kanë, mbi bazën e konkurrimit, dhe çfarë pretendojnë, nisur kjo edhe nga përfaqësimi parlamentar, por edhe pesha e tyre në qarqe të ndryshme,” shprehet kryetari i Partisë Republikane.
Negociatat e demokratëve me aleatët do të jenë me parti parlamentare dhe jo vetëm, sikundër me Partinë e Lirisë.
Edhe pse Ilir Meta është nën masën e arrestit, PD-ja duket se do t’i qëndrojë besnike marrëveshjes që edhe PL-ja të ketë në listën e koalicionit opozitar kandidatët e saj për deputetë.
Nuk përjashtohet mundësia që listës në qarkun e Tiranës të mos i mungojë as emri i Ilir Metës, pavarësisht situatës së tij juridike.
Nuk dihet nëse aleatët e PD-së do të jenë në lista të sigurta apo të hapura, por ajo që dihet me siguri është se demokratët do të zgjedhin përmes primareve kandidatët për deputetë për zgjedhjet e 11 majit.
Gazetare: Anisa Kadesha
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




