Abbott: Pjesëmarrja e grave në politikë është thelbësore në çdo demokraci

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri, Nick Abbott, deklaroi se gratë duhet të kenë akses të barabartë në financat e partive politike, hapësirë të barabartë për t’u shprehur dhe për të marrë vendime pa pasur frikë nga dhuna gjinore apo sulmet publike.
Këto deklarata ambasadori Abbott i bëri në tryezën e përbashkët të organizuar nga Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, mbi “Fuqizimin e grave në politikë: Sfidat, barrierat dhe zgjidhjet për akses të barabartë në financat publike dhe dhunën me bazë gjinore”.
“Dua t’ju nxis që të shfrytëzoni aktivitete të tilla dhe duhen gjetur persona praktik që t’ju ndihmojnë në situatën ku gjendeni. Jam mirënjohës që jam ndërmjet jush për të shprehur përkrahjen e ambasadës britanike për fuqizimin e grave në politikë. Pjesëmarrja e grave në politikë është thelbësore në çdo demokraci pasi gratë janë lënë mënjanë dhe penguar për shumë kohë. Gratë duhet të kenë akses të barabartë në financat e partive politike, hapësirë të barabartë për tu shprehur dhe marr vendime dhe të bëjnë këtë pa pasur frikë nga dhuna gjinore apo sulmet publike”, u shpreh ai.
Sipas ambasadorit Abbott, vetëm përfaqësimi nuk mjafton, pasi gratë dhe vajzat duhet të kenë ndikim të vërtetë dhe përfaqësim në të gjitha nivelet e qeverisjes.
“Të bësh politikë ka kosto të lartë. Rritja e financave për përkrahjen e grave është parakusht. Gjuha denigruese dhe stereotipat e gabuar i mbajnë gratë larg nga politika. Me anë të punës sonë ne duhet të synojmë të frymëzojmë ndryshimet që duhet të arrijmë. Ne mbështesim aktorët politikë dhe shoqërinë civile, që sjellin praktika dhe mekanizma që ndikojnë te angazhimi i grave në politikë.”
Në fund të fjalës së tij, ambasadori bëri thirrje që partitë politike të bëjnë më shumë për gratë e angazhuara në to.
“Ju jeni në politikë për shkak të aftësive tuaja personale. Jeni në politikë për shkak të asaj që keni kryer dhe dini të bëni. Kjo për mua është shumë e rëndësishme.”
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




