Kontrolli mjekësor bazë në Kukës, Halilaj: Shërbimi më i kërkuar gjatë 2024

Sociale | 2 vite më parë

Programi kombëtar i Kontrollit Mjekësor Bazë falas për të gjithë grupmoshat 35–70 vjeç, pranë të gjitha Qendrave Shëndetësore në qarkun Kukës, është një nga shërbimet më të kërkuara, që vjen në ndihmë qytetarëve për zbulimin dhe diagnostikimin në kohë të sëmundjeve.

Drejtori i Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH) në Kukës, Hasan Halilaj, bën të ditur se kërkesa e lartë është si rezultat i punës së vazhdueshme të mjekëve të familjes.

“Kontrolli mjekësor bazë ose siç quhet në përditshmëri check-up, në rrethin e Kukësit, Hasit dhe Tropojës, ose qarku ynë, është në nivelin 103 për qind falë punës së mirë të mjekut të familjes, që tashmë përbën një politikë bindëse për qytetarët,” thotë drejtuesi i FSDKSH-së në Kukës.

Gjatë vitit 2025, në 44 qendrat shëndetësore të këtij qarku pritet të ketë sërish interes në rritje për kontrollin bazë mjekësor.

“Po qe se do të ketë kërkesa nga qytetarët për të bërë një shërbim të tillë nuk ka një tavan, por do të rritet numri i personave që do të trajtohen me check-up,” shton z. Halilaj.

Gjithashtu po funksionon njësia e lëvizshme e programit të kontrollit mjekësor, të cilat sipas një kalendari të caktuar, mbulojnë të gjitha fshatrat larg qendrave shëndetësore.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme