Përfundon numërimi i votave të rregullta në Kosovë, vijon procesi për kandidatët | RTSH Lajme

Kosovë | 2 vite më parë

Rreth dy javë pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka përfunduar procesin e numërimit të gjithë votave të rregullta për subjektet politike.

Në faqen e internetit të KQZ-së rezulton se ka mbaruar numërimi i këtyre votave në 2.533 vendvotime, ku Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 342.281 vota apo 40,80 për qind, Partia Demokratike e Kosovës ka marrë 184.811 apo 22,03 për qind, që pasohet nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 147.888 vota ose 17,63 për qind dhe koalicioni AAK–Nisma Socialdemokrate me 62.588 vota ose 7,46 për qind prej tyre.

KQZ-ja ndërkohë ka bërë me dije se ende nuk ka nisur numërimi i votave të diasporës, votave me kusht dhe votave të personave me aftësi të kufizuara.

Numri i shtetasve të Kosovës të regjistruar për të votuar jashtë Kosovës ishte 104.924, prej të cilëve votuan 15 mijë 352 nga 20.324 të regjistruar për votim në përfaqësi diplomatike. Ndërkaq për votimin përmes postës ishin regjistruar 84.600 shtetas.

Duke u mbështetur në të dhënat e KQZ-së, numri i zarfeve nga vendvotimet me kusht është 12.801, të cilat gjithashtu do t’i nënshtrohen verifikimit për krahasimin me listën e votuesve të nënshkruar në vendvotime të rregullta. Numri i votave të personave me nevoja të veçanta është 2.597 vota.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme