Shqipëria bën detyrën me Andorrën

Shqipëria arriti fitoren e parë për kualifikueset e Botërorit 2026, duke mundur 3-0 Andorrën në Arenën Kombëtare në Tiranë, falë dy golave të shënuar nga Rey Manaj dhe një nga Myrto Uzuni. Një paraqitje pa shumë shkëlqim e kuqezinjve përballë kundërshtarëve modestë, megjithatë bëjnë detyrën duke marrë tri pikë.
Shqipëria bëri detyrën dhe e mbylli me fitore 3-0 kundër Andorrës ndeshjen e parë në shtëpi për kualifikueset e Botërorit 2026. Trajneri Silvinjo bëri katër ndryshime në formacionin që startoi kundër Anglisë në Uembli, duke nxjerrë një skuadër më sulmuese në Arenën Kombëtare. Asani, Bajrami, Ramadani dhe Uzuni u ulën në stol, për t’u zëvendësuar në fushë nga Broja, Manaj, Hoxha e Shehu.
Të vendosur për të marrë tri pikët, kuqezinjtë e nisën menjëherë furishëm në drejtim të portës mike, në kërkim të golit që nuk do të vononte. Shqipëria kaloi në avantazh në minutën e nëntë, kur Asllani krosoi në zonë nga e djathta dhe aty Rey Manaj goditi fort me kokë dhe tundi rrjetën.
Start perfekt përballë një skuadre të mbyllur në mbrojtje e që përpiqet të ndalojë kundërshtarët me të gjitha mënyrat. Pas golit, kuqezinjtë vazhduan sulmet, me Brojën tepër aktiv sidomos nga e djathta, por pa krijuar ndonjë rast, deri në minutën e 19-të, kur vjen edhe goli i dytë, sërish nga Manaj. Broja kontrollon mirë një top të gjatë në adresë të tij, hyn në zonë dhe që nga fundorja pason te shoku i sulmit, që gjuan menjëherë me të djathtën, pa i lënë asnjë shans portierit.
2-0 dhe tashmë ndeshja është vënë në shinat e duhura për skuadrën e Silvinjos, që kërkon ta mbyllë çështjen e rezultatit që para pushimit, por pa mundur, edhe për shkak se disa aksione nuk mbyllen me pasimin apo gjuajtjen e duhur. Pas pushimit, kuqezinjtë e nisin edhe një herë fuqishëm dhe është Manaj në kërkim të golit të tretë, kur gjuan fort nga e djathta, në minutën e 47-të, por këtë herë pa gjetur kuadratin.
Më i saktë Laçi dy minuta më pas, por gjuajtja e tij shkon drejt e në duart e portierit Iker. Një tjetër rast i mirë vjen në minutën e 57-të, kur Asllani pason te Manaj në zonë, këtë herë gjuajtja e tij bllokohet nga mbrojtja. Në vazhdim loja fiket, luhet gjithmonë në gjysmëfushën mike por pa rrezikshmëri.
Silvinjo ndërhyn për të freskuar skuadrën. Në të 67-tën del Gjimshiti e hyn Kumbulla. Në minutën e 75-të, Pajaziti zëvendëson Laçin, ndërsa Broja, dukshëm i lodhur në pjesën e dytë për shkak të periudhës së gjatë jo aktive, i lë vendin Uzunit. Ky i fundit, vetëm tri minuta më pas, kërkon penallti për tërheqje nga fanella në zonë, por pa sukses.
Në të 85-tën gjuan Pajaziti, por me diagonalen e tij fiton vetëm goditje nga këndi. E teksa Shqipëria menaxhon avantazhin në pritje të vërshëllimës finale, në minutën e 92-të vjen edhe goli i Myrto Uzunit, që konfirmohet pas shqyrtimit nga VAR. Pa shumë shkëlqim, Shqipëria merr tri pikët dhe pret e qetë përballjen me rivalin kryesor të grupit, Serbinë, më 7 qershor, po në Arenën Kombëtare.
SHQIPËRI-ANDORRA 3-0
Shënues: Manaj 9’, 19’m Uzuni 90’+2
Mbyllet sfida në “Arena Kombëtare”, Shqipëria ka arritur të fitojë me rezultatin 3-0 përballë Andorras në ndeshjen e dytë të Grupit K në kualifikueset e Botërorit 2026. Manaj(dopietë) e Uzuni, autorët e golave.
90’+2 – Gooool Uzuni, Shqipëria ka shënuar dhe golin e tretë përballë Andorras në “Arena Kombëtare”.
85’ – Pajaziti shfaqet rrezikshëm në zonën e kundërshtarit, por gjuajtja e tij është devijuar në këndore.
78’ – Pretendim për një 11-metërsh nga ana e kuqezinjve, Uzuni u pengua brenda zonës, por për gjyqtarin e sfidës gjithçka u konsiderua e rregullt.
57’ – Aksion i bukur i kuqezinjve, me Asllanin që shërbeu për Manajn, por sulmuesi u vonua në finalizim, duke i dhënë mundësi mbrojtjes kundërshtare të largojë topin.
47’ – Manaj shfaqet edhe njëherë rrezikshëm, por goditja e tij nuk ishte në kuadrat.
Nis pjesa e dytë…
Është mbyllur pjesa e parë në “Arena Kombëtare”, Shqipëria në avantazh të dyfishtë përballë Andorras, dy golat u shënuan nga Manaj(9’ dhe 19’).
25’ – Hoxha vepron bukur, gjuan, por gjen përgjigjen e portierit Alvarez, i cili në dy kohë ka evituar rrezikun.
19’ – Gooooool! Shqipëria ka dyfishuar shifrat përballë Andorras. Armando Broja ka dhuruar spektakël në fazën sulmuese, për të shërbyer më pas për Manajn, i cili nuk fal me goditjen e tij, 2-0.
9’ – Shqipëria ka kaluar në avantazh përballë Andorras. Rey Manaj ka goditur saktësisht me kokë pas ekzekutimit të një goditje dënimi nga ana e Asllanit.
6’ – Një goditje këndi për kuqezinjtë ka sjellë tentativat e Laçit dhe Asllanit, por pa arritur të gjejnë portën.
Ka nisur sfida në “Arena Kombëtare” mes Shqipërisë dhe Andorrasm ndeshja e dytë kualifikuese e Botërorit 2026.
Shqipëri-Andorra
Shqipëria: Strakosha, Balliu, Aliji, Gjimshiti, Ajeti, Shehu, Asllani, Laçi, Hoxha, Broja, Manaj. Trajner: Silvinjo
Andorra: Alvarez, Borra, Garsia, San Nikolas, Cervos, Olivera, Mark Garcia, Hesus Rubio, Rebes, Babot, Rosas. Trajner: Koldo Alvarez
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




