Rama me shqiptarët në Kretë: Tani s’ju përbuz njeri, 11 maji ju ‘sjell’ pasaportën e BE-së

Politikë | 2 vite më parë

Kreu i Partisë Socialiste Edi Rama ka zhvilluar një takim me shqiptarët në Kretë në kuadër të tureve me diasporën teksa vendi shkon drejt zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të 11 majit.

Duke folur para diasporës shqiptare në Kretë, Rama tha se Shqipëria ka ndërtuar një marrëdhënie pozitive me Greqinë dhe asnjë nga fqinjët nuk i shohin me përbuzje shqiptarët.  

“Sot fqinjët tuaj, grekë, italianë apo çfarëdo qofshin, po sidomos këta këtu nuk iu shohin më nga lart-poshtë dhe nuk kanë më asnjë shans që t’ju përbuzin sepse ju nuk jeni të detyruar t’u thoni “mirëmëngjes” edhe kur ju thonë “plaç”, është shprehur Rama.

Duke iu referuar shqetësimeve të shqiptarëve në Greqi që pyesin shpesh për dokumentet, Rama tha se 11 maji është përgjigja e duhur për të marrë pasaportën nga shteti shqiptar si pasaportë të Bashkimit Evropian që nga shteti grek sipas tij do të duheshin 10 apo 15 vite për ta lëshuar.

“Më pyesni për dokumentet, për të qenë të qenë të barabartë pa asnjë dallim. Sot kemi ne mundësinë e artë që ndërkohë që kemi ndërtuar dhe po ndërtojmë dita-ditës një marrëdhënie shumë pozitive me fqinjët tanë këtu në Greqi, të mos presim se deri kur do bëhen dokumentet për të gjithë shqiptarët që jetojnë këtu, as të mos presim se deri kur do të përfundojë gjithë negociata për marrëveshjen e pensioneve, që është edhe marrëveshja më e vështirë dhe prandaj ka mbetur e fundit, por në 11 maj të votojmë të gjithë së bashku aty ku gjendet forca e duhur, në kohën dhe në vendin e duhur që atë pasaportën që mund t’ju duhet edhe 10-15 vite ta merrni nga shteti grek, ta merrni nga shteti shqiptar si pasaportë të Bashkimit Evropian”, theksoi Rama.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme