Rehabilitimi i aksit Tiranë-Durrës, Rama: E kthejmë në një autostradë të kategorisë A

Politikë | 2 vite më parë

Kryeministri Edi Rama ka inspektuar punimet në autostradën Tiranë- Durrës si dhe rrugës Kombinat-Ndroq-Plepa, ku vijohet puna për modernizimin e infrastrukturës së këtyre akseve.

Aksi Tiranë-Durrës do të kthehet në një autostradë të kategorisë A, duke shtuar korsitë e lëvizjes për një lehtësim të ndjeshëm të trafikut. Kryeministri Rama sugjeroi që hyrja për në kryeqytet të jetë e veçantë për sa i përket arkitekturës, duke përfshirë më shumë elementë artistikë.

“Duhet të vihen pemë të larta e mbase duhet të gjejmë një mënyrë të krijojmë një mur dekorativ, një lloj ndarëse dekorative. Mund të gjejmë një gjë që të bëhet shumë bukur midis të dyjave. Duhet menduar, duhet një gjë artistike se është hyrja e kryeqytetit. Ndoshta mobilizojmë të gjithë arkitektët, të bëjnë një copë secili dhe të bëhet si korridor artistik”, u shpreh ai, teksa kërkoi edhe hartimin e një masterplani për të shmangur problemet e krijuara nga trafiku i brendshëm.

Gjatë inspektimeve, Rama ishte i shoqëruar nga zv/kryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, e cila tha se jemi në fazën e parë të rikonstruksionit dhe zgjerimit të autostradës Tiranë- Durrës.

“Faza e parë, ashtu edhe si dy fazat e tjera përfshin rreth 10 km në total. Ndërkohë që, kurora zgjerohet dhe shkon në 32.5 metra, duke krijuar për secilën karrexhate nga 3 korsi kalimi dhe duke lënë gjithashtu edhe korsinë e emergjencës. Kalojmë nga një superstradë në kategorinë e autostradave A, duke u bashkuar kështu me gjithë të tjerat që ne ndërtojmë. Shpejtësia maksimale është 130 km dhe ndërkohë të gjitha parametrat e sigurisë janë përmbushur”, tha Balluku.

Këtë të martë, Rama inspektoi edhe punimet e rrugës Kombinat-Ndroq-Plepa, ku theksoi se aksi merr rëndësi të posaçme edhe për shkak të krijimit së një sërë agroturizmeve të reja, në zonën nëpër të cilën ai kalon.

“Është një nga akset e shumëkërkuara, të cilit i erdhi radha dhe i cili do jetë një aks me profil turistik dhe për shkak të këtij territori ku kanë filluar të lindin agroturizmat dhe ku ne besojmë shumë që zhvillimi agroturizimit do jetë shumë pozitiv edhe për ekonominë e kryeqytetit dhe për ekonominë familjare këtu, pasi është një zonë që do përfitojë shumë nga rritja e turizmit dhe nga flukset që shkojnë drejtë Tiranës apo Durrësit”, kryeministri Rama.

Ndërkaq, zëvendëskryeministrja Belinda Balluku theksoi se nga një rrugë rurale, ky aks shkon në një rrugë të kategorisë C.

“Jemi në fazën e parë të rehabilitimit të rrugës Kombinat-Plepa. Kjo është një vepër shumë e rëndësishme nga ana infrastrukturore, por dhe nga ana e zhvillimit të kësaj, duke qene se kjo zonë ka një zhvillim të rëndësishëm bujqësor dhe agroturizma. Rruga është rreth 28 km. Në fazën e parë kemi 5 km, 4.8 për saktësi. Nga një rrugë rurale, kjo rrugë shkon në një rrugë të kategorisë C. Kurora e gjithë bankinës është 12,5 m me dy ndarjet e korsive nga 3.75 m, duke e çuar kështu në kategorinë C dhe duke na dhënë ne mundësinë për të pasur një rrugë me shpejtësi nga 50 në 100 km në orë” – shpjegoi zv/kryeministrja Balluku, teksa theksoi se në zonën Urës së Beshirit do të ndërtohet një urë totalisht e re.

Ajo shtoi se afati i dorëzimit është në maj 2026, por “synimi jonë është ta mbarojmë natën e vitit të ri të 2025 këtë fazë të parë.”

Rruga Kombinat – Ndroq – Plepa është projekt në fazën e parë të rindërtimit, e do të vazhdojë në tre faza, ku pjesë e investimit është dhe rindërtimi i Urës së Beshirit, që pritet të eliminojë të gjitha kthesat, duke rritur sigurinë rrugore.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme