Kartoni jeshil për Maqedoninë e Veriut, polica e sigurimit 1-vjeçar bëhet 50 euro
Polica e sigurimit kufitar me Maqedoninë e Veriut prej datës 1 prill ka çmim të ri: 50 euro për 1 vit do të paguajnë të gjithë drejtuesit e mjeteve, të cilët duan të udhëtojnë në drejtim të shtetit fqinj.
Më herët ata paguanin një tarifë vjetore 340 euro për një vit, por me dallimin që kartoni jeshil ishte i vlefshëm për në të gjithë Europën, përfshirë dhe Maqedoninë e Veriut, ndërsa polica e sigurimit tashmë e miratuar kundrejt vlerës 50 euro është e vlefshme vetëm për Maqedoninë.
Përfituesit më të shumtë të vlerës së re janë kryesisht banorët e bashkive Korçë, Pogradec, Prrenjas dhe Librazhd, të cilët janë frekuentues të shumtë të Ohrit dhe Strugës, për qëllime tregtare e turistike.
Kalimtarët shprehen të kënaqur me tarifën e re të kartonit jeshil dhe theksojnë se tani mund të kalojnë më shpesh me mjetet e tyre në drejtim të Maqedonisë së Veriut.
Më herët, policat kufitare me çmime të ulëta realizoheshin vetëm me Malin e Zi dhe Kosovën, ndërsa prej 1 prillit, është shtuar dhe Maqedonia e Veriut.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




