Proda takim me drejtues të policive të rajonit, në fokus goditja e veprimtarive kriminale

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda mori pjesë në takimin ndërmjet drejtorëve të përgjithshëm të policive të rajonit.
Takimi u mbështet në tematika si lufta kundër trafikimit të emigrantëve; krijimi i databazave të përbashkëta si dhe përputhja e legjislacioneve kombëtare të fushës, me legjislacionin e BE-së.
Gjatë takimit, titullarët e policive diskutuan se betejat kundër kësaj veprimtarie kriminale zhvillohen tashmë në një kontekst të ri, në atë virtual. Duke qenë se komunikimet ndërmjet autorëve, si dhe ndërmjet autorëve dhe të dëmtuarve, kryhen në platforma sociale të ndryshme, nevojiten njohuri dhe kapacitete të kombinuara dhe moderne për të parandaluar, konstatuar dhe goditur rastet e trafikimit të qenieve njerëzore.
Në fjalën e tij në takim, Proda vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm rajonal dhe me të gjerë, i cili ka rezultuar me finalizimin e 4 operacioneve masive dhe të rëndësishme të Policisë shqiptare në këtë fushë.
Drejtori gjithashtu theksoi se ky bashkëpunim nuk duhet kufizuar vetëm tek aspekte policore dhe operacionale, por duhet të shtrihet dhe te unifikimi i sistemeve dhe databazave, të cilat do të përshpejtojnë verifikimet, në funksion të konstatimit dhe goditjes së këtyre rasteve.
Më tej, Drejtor Proda theksoi se pavarësisht sfidave që ka sjellë modernizimi, shpejtësia e përhapjes dhe shtrirja e kësaj veprimtarie kriminale, strukturat e Policisë mund të fitojnë revansh nëpërmjet:
-intensifikimit të bashkëpunimit, mbi baza profesionalizmi dhe reciprociteti;
-krijimit të një infrastrukture të sigurtë komunikimi;
-përdorimit të standardeve të njëjta në komunikimet midis sistemeve të teknologjisë së informacionit;
-investimeve më të mëdha në sistemet e teknologjisë së informacionit;
-afrimit të kuadrit ligjor të vendeve respektive, me BE-në.
Takimi u mbështet nga agjencitë ligjzbatuese ndërkombëtare: INTERPOL, EUROPOL, FRONTEX, EU4FAST, EUDEL dhe GIZ.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



