Shqipëria shkëlqen në “Loro Boriçi”

Kombëtarja shqiptare e vajzave arriti një fitore të madhe në “Loro Boriçi”, duke mposhtur Kroacinë me rezultatin e thellë 4-0. Në ndeshjen e vlefshme për Ligën B të UEFA Nations League, shënuan Fortesa Berisha, Alma Hilaj, Megi Doçi dhe Klea Hamonikaj.
Trajneri Armir Grima e nisi takimin me këtë formacion titullar: Viona Rexhepi (GK), Arbenita Curraj, Arbiona Bajraktari, Fortesa Berisha, Valentina Troka, Qëndresa Krasniqi, Megi Doçi (C), Ezmiralda Franja, Ilarja Zarko, Klea Hamonikaj dhe Alma Hilaj.
Vajzat e nisën shumë mirë ndeshjen, duke kaluar në avantazh në minutën e 14-të me golin e Fortesa Berishës.
Shqipëria nuk e uli ritmin dhe në minutën e 24-të gjeti golin e dytë me Alma Hilajn, pas një asistimi nga Megi Doçi. Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 2-0.
Në fraksionin e dytë, skuadra jonë menaxhoi mirë lojën dhe vazhdoi të rrezikonte. Goli i tretë erdhi në minutën e 72-të, kur kapitenja Megi Doçi shënoi me një goditje të fuqishme nga jashtë zone.
Në këtë takim, trajneri Grima aktivizoi edhe Antigona Hyskën, Armela Tukajn, Kristina Maksutin, Djellza Istrefajn dhe Mikaela Metallën.
Në fundin e ndeshjes, Shqipëria shënoi edhe golin e katërt me Klea Hamonikajn, e cila përfitoi nga një gabim i portieres kroate dhe e dërgoi topin në rrjetë.
Ndeshja u mbyll me fitoren fantastike të Shqipërisë, 4-0.
Shqipëria e vajzave do të zhvillojë ndeshjen e radhës në grupin B4 po ndaj Kroacisë, këtë herë në transfertë. Takimi do të luhet më 8 prill, në “Sport Centre Rudes”, në orën 16:00.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




