Kallas mbërrin në Tiranë, të martën takime me Ramën dhe Begajn

Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë në BE, Kaja Kallas mbërrin pasditen e sotme në Tiranë rreth orës 16:45, në të parën vizitë zyrtare pas marrjes së detyrës. Kallas, mbrëmjen e sotme do të jetë në një darkë pune me Kryeministrin Edi Rama, zv.kryeministren Belinda Balluku, Ministrin e Jashtëm Igli Hasani dhe Kryenegociatoren Majlinda Dhuka.
Mëngjesin e 8 Prillit, Kallas pritet të mbërrijë në zyrën e Presidentit Bajram Begaj dhe rreth orës 10:00 në selinë e qeverisë ku, pas takimit me Kryeministrin, pritet nënshkrimi i marrëveshjes për mbështetjen e Koridorit të 8-të.
Rreth orës 10:30 Kallas dhe Kryeministri Edi Rama do të jenë në një konferencë për shtyp.
Ndalesa e Kaja Kallas do të vijojë në Ministrinë e Jashtme ku do të ketë një takim kokë më kokë me Ministrin Hasani dhe më pas me Ministrin e Mbrojtjes Pirro Vengu.
Kallas, gjatë qëndrimit në Tiranë, do të vizitojë dhe Europa House ku do të jetë në një panel mbi rolin e Ballkanit Perëndimor dhe të rinjve në integrimin evropian. Përfaqësuesja më e lartë evropiane largohet nga Tirana pasditen e 8 Prillit me mesazhe të rëndësishme për bashkëpunimin me vendin tonë në fushën e sigurisë, mbrojtjes dhe mbështetjen për integrimin evropian.
Gazetare: Denada Shkodrani
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




