Rama: Koncesioni i skanimit në Portin e Durrësit, një gabim i trashëguar

Politikë | 2 vite më parë

Kryeministri Edi Rama ka komentuar koncesionin e skanimit të kamionëve në Portin e Durrësit, duke e cilësuar si një marrëveshje të gabuar që është trashëguar nga qeveritë e kaluara. Rama e ka quajtur këtë koncesion “atipik” dhe “më të keqin”, duke theksuar se ishte i dëmshëm për operatorët dhe krijonte kosto të larta për ta, ndërkohë që mund të sjellë kosto të tjera të mëdha për shtetin në rast se çohet në arbitrazh.

“Ky është koncesion atipik, më i keqi i mundshmi që e kemi trashëguam, por që do na krijonte kosto të lartë në arbitrazh, por jemi munduar të menaxhojmë, ta vëmë në shfrytëzim dhe të lehtësojmë për ju, nga 45 euro ta ulim në 22 euro. Por gjithsesi mbetet një koncesion i gabuar tërësisht, sepse skanimi i kamionëve nuk është nevoja juaj por i shtetit. Shteti e bën për punën e vetë, për sigurinë, krimin, kontrabandën, por jo për ju. Ata që na vejnë gishtin për koncesionit kanë bërë këtë koncesion absurd në këtë mënyrë”, tha Rama.

Sipas Ramës, ky koncesion kishte një qëllim kryesor kontrollin e sigurisë dhe parandalimin e kontrabandës, por ai e konsideron atë një barrë për operatorët, pasi skanimi i kamionëve është një detyrë e shtetit, jo e atyre që operojnë në port. Ai theksoi se qeveria ka ndërmarrë hapa për të ulur kostot për operatorët, duke adoptuar një sistem më fleksibël, ku skanimi do të bëhet në bazë të riskut dhe sinjalizimeve, duke ulur kështu numrin e kontrolleve dhe përmirësuar efikasitetin.

“Ne do ta bëjmë, duke pasur parasysh kontributet tuaja edhe si taksapagues, do operojmë në bazë kontrolli në bazë risku dhe jo kontrollit 100 %. P.sh., nga 100 dalje nga porti, do bëhet skanimi për 10 prej raste, si fillim është e pranueshme dhe më tej do ulet më shumë, me numër më të vogël kontrollesh, të befasishme, mbi bazë risku ose sinjalizimi. Përtej kostos marramendëse që ka koncesioni edhe për operatorët, ka një rezultat në uljen e kontrabandës”, shtoi Rama.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme