“Ndizen motorët” e fushatës elektorale, partitë politike hyjnë zyrtarisht në ethet e garës së zgjedhjeve
Fushata elektorale për zgjedhjet parlamentare të 11 majit hyn zyrtarisht sot në ethet e saj. Nga dy sheshet simbolike të qytetit, dy forcat politike më të mëdha të vendit ndezin motorët e garës nga Tirana.
Nga Sheshi Nënë Tereza, në zemër të kryeqytetit, koalicioni Shqipëria Madhështore i drejtuar nga Partia Demokratike do e ngre siparin e fushatës këtë premten në orën 19:00.
Përveç flamujve të koalicionit, një podium dhe disa karrige përballë tij përbëjnë skenografinë e kësaj ngjarjeje hapëse, e cila do të kulmojë më pjesëmarrjen e Chris LaCivita, që drejton fushatën e opozitës.
Një ditë pas demokratëve është Partia Socialiste që e çel fushatën nga Sheshi Skënderbej në datën 12 prill, ora 12:00, nga 12 qarqe të vendit, rreth 12 yjeve të flamurit të Bashkimit Europian, që është edhe lajtmotivi i kësaj fushate për PS-në teksa kërkon një tjetër mandat me premtimin për “pasaportën europiane”.
“Do e nisim fushatën zyrtare me një cikël takimesh që do të zhvillohen në të njëjtën kohë. Do të jemi së bashku me fuqinë tonë kryesore, që janë gratë dhe vajzat,” u shpreh më herët gjatë ditës kryeministri Edi Rama.
Koalicioni Euroatlantik do e hapë fushatën më 12 prill në orën 11:00, ndërsa partitë e tjera, si Mundësia, Nisma Shqipëria Bëhet dhe Lëvizja Bashkë e nisin nga Shkodra, Vlora dhe Fieri.
Gazetare: Jonida Omeri
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




