Rama takon përfaqësues të turizmit në Durrës: Të investojmë në cilësinë e shërbimit

Zgjedhje 2025 | 2 vite më parë

Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim me turoperatorë, hotelierët dhe profesionistë të sektorit të turizmit në Durrës, për të diskutuar për sezonin veror, që nis së shpejti.

Gjatë fjalës së tij, Rama tha se ky sektor ka regjistruar një zhvillim të dukshëm, me gati trefishin e vizitorëve të huaj krahasuar me një dekadë më parë dhe me potencialin për t’u rritur më shumë.

“Jemi një vend që kemi një potencial akoma të madh të rritemi edhe më shumë në funksion të të gjitha këtyre gjitha të mirave që vijnë nga kjo rritje, të punësimit, të rritjes së pagave në sektorin e turizmit  që janë rritur në mënyrë të ndjeshme faktikisht, sepse të gjithë tani e kanë kuptuar që krahu i lirë i punës nuk mund të jetë një avantazh konkurrues dhe siç dëshmojnë shumë realitete të sektorit, ne kemi praktikisht paga që janë njësoj ose edhe më të mira se në Greqi në një nivel të caktuar të hotelerisë sonë dhe sot kemi rreth 40 hotele që janë me brande të mëdha ndërkombëtare me 5 yje. Kemi një volum projektesh në vazhdim që janë vërtet një gjeneratë tjetër e turizmit, një gjeneratë tjetër e arkitekturës, një gjeneratë tjetër e të kuptuarit të cilësisë dhe një gjeneratë tjetër e volumit financiar që është përgatitur të investohet në Shqipëri nga investitorët vendas dhe investitor të huaj,” tha Rama.

Duke cituar Organizatën Botërore të Turizmit dhe Forumin Ekonomik Botëror, kryeministri theksoi se Shqipëria është vendi me rritjen më të lartë të turizmit në Evropë dhe pesë të parët në botë për rritjen e vazhdueshme çdo vit të këtij sektori.

“Por duhet të jemi të gjithë të qartë për një gjë, që jemi akoma në një moment të brishtë, sepse nëse e marrim të mirëqenë këtë që kemi arritur dhe nëse nuk investojmë akoma më shumë në drejtimet e duhura, ne mund ta humbim këtë volum. Për ta mbajtur këtë volum dhe për ta rritur, natyrisht jo me këto ritme, sepse s’do shkojmë 100 milionë turistë, po për ta rritur në mënyrë të qëndrueshme graduale, ne duhet të jemi shumë të qartë çfarë do të bëjë sektori privat, çfarë do të bëjë shteti,” deklaroi kreu i qeverisë.

Për të kaluar te sektori privat, Rama nënvizoi se sfidat për sektorin e turizmit mbeten dhe një pjesë për këtë ia faturoi sektorit privat, duke i kërkuar që të rrisë cilësinë e shërbimit dhe pagesat për forcën punëtore.

“Në këndvështrimin tim, sektori privat duhet të ketë vetëm një fjalë, me të cilën duhet të zgjohet në mëngjes, edhe me të cilën duhet të flejë në darkë, cilësinë, cilësia e shërbimit. Cilësia në çdo gjë që bëhet, pra nuk është më koha e sasisë, nuk është më koha e hedhjes së parave kuturu, por është koha që çdo qindarkë të investuar ta investojë në cilësi sektori privat. Është koha që të investojë në cilësinë e të gjithë zinxhirit shërbimeve dhe për këtë arsye, unë përsëri ju them dhe ju inkurajoj të mos të mos hezitoni, të rrisni pagat edhe më shumë,” u shpreh Rama.

Qeveria do të shtojë vëmendjen për turizmin bregdetar e përkatësisht në Durrës, edhe pse kryeministri tha se nisur nga e shkuara, kur nuk kishte legjislacion dhe as rregullore për plazhet apo një sistem ndërveprimi mes institucioneve dhe sektorit privat, sot ky “kaos” nuk është më.

“Në këtë vend, yjet viheshin duke shkuar te marangozi, duke i prerë, duke i lyer me të verdhë dhe duke i rrasë aty 5 yje me emrin e një hoteli që ishte kombinimi i emrit çunit, emrit të gocës dhe emrit vjehrrës. Tani, kjo ka qenë situata,  edhe ky ka qenë kaosi që ne kemi trashëguar, por ama ajo që vlen sot të kuptohet nga të gjithë është që kjo që kemi bërë është shumë e rëndësishme, në raport me ku ishim, por nuk mjafton në raport me ku duhet të shkojmë dhe për këtë arsye dhe këtu ku jemi në plazhin e Durrësit kemi bërë përsëri një investim të madh kapital për gjithë pjesën e shëtitores së plazhit që nuk mjafton dhe për këtë arsye kemi bërë dhe investimin tjetër, kemi investuar, tani do të ekzekutohet, zgjerimin e hapësirës ranore me 100 metra. Tani do të kemi një plazh tërësisht të rilindur në kuptimin më të vërtete të fjalës që do të lidhet me plazhin tjetër të ri që po krijohet tek marina e Durrësit që dhe ai besoj e keni parë, po pastron një zonë komplet të infektuar nga vajrat e nga qymyri shekullor atje dhe po krijon një lidhje organike që do të lidhë gjithë këtë zonë me marinën e re ku po punohet intensivisht ndryshe nga ç’duket dhe ku tani puna do të hyjë në një ritëm tjetër sapo të fillojë spostimi i portit tregtar tek pjesa tjetër,” tha kryeministri Rama.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme