Rrjetet sociale si komunikim fushate – gjuha e drejtuesve politikë, memet, epitetet dhe animacionet
Drejtuesit politikë të partive garuese në zgjedhjet e 11 majit nuk kanë komunikuar vetëm me votuesit. Ata kanë gjetur mënyra të ndryshme për të shigjetuar edhe kundërshtarët.
Simbolika, epitete, e deri te prodhimet regjisoriale kanë qenë pjesë e komunikimit të tyre në rrjetet sociale. Sipas ekspertëve të komunikimit, gjuha e përdorur duket një metodë që i përshtat ata me shpejtësinë e rrjeteve sociale.
“Ajo që po shohim është thjeshtë një përplasje memesh, videosh virale për të marrë klikime, një imitim kryekëput i rrjeteve sociale dhe algoritmeve si ato funksionojnë… T’i lënë memet dhe videot virale. Le t’ua lënë atë personazheve të humorit ose njerëzve të tjerë të rrjetit,” thotë pedagogia Jonila Godole.
“Nga njëra anë kryeministri Rama e ka mbyllur TikTok-un, por nga ana tjetër përdor në rrjete sociale gjuhën e TikTok-ut,” shprehet pedagogu Elvin Luku.
“Është një shprehje shumë e qartë e populizmit, një përpjekje për t’u thënë njerëzve ‘unë flas si ju dhe meqë flas si ju, jam si ju, kështu që meritoj mbështetjen tuaj’,” shton pedagogia Elsa Skënderi.
Ekspertët e komunikimit kërkojnë debate të thella dhe të kuptueshme nga të gjitha partitë, në mënyrë që ato t’u drejtohen të gjithë qytetarëve.
“Nuk kemi një përplasje idesh. Nuk kemi ide të reja, që do të na tregonin vizionin për Shqipërinë e katër viteve të ardhshme. Nuk shoh një strategji të bazuar në vlera,” thotë znj. Godole.
“Kur ka komunikim të drejtpërdrejtë të politikanit me audiencën, edhe prirja për propagandë është akoma më e madhe,” shprehet z. Luku.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




