Javët Ndërkombëtare Kulturore, edicioni i katërt nis me Poloninë
Pas një udhëtimi të jashtëzakonshëm përmes tri edicionesh, që sollën art, energji dhe emocion në mbarë Shqipërinë, Javët Kulturore Ndërkombëtare rikthehen në sezonin e katërt, duke premtuar një tjetër kapitull të veçantë në historinë e dialogut ndërkulturor.
Këtë vit, ky rrugëtim nis me Poloninë, e cila për herë të parë bëhet pjesë e Javëve Kulturore Ndërkombëtare.
Ambasadori polak në Shqipëri ftoi qytetarët të mos e humbin këtë javë me plot aktivitete.
“Është hera e parë që Ambasada e Polonisë në Shqipëri i bashkohet projektit të Javëve Kulturore. Javët Kulturore fillojnë me Poloninë dhe kjo është e rëndësishme për ne. Për gjashtë muajt e parë të 2025-ës, Polonia ka marrë presidencën e Këshillit të Bashkimit Evropian dhe dëshirojmë të përfitojmë nga kjo javë kulturore për të nxjerrë në pah rolin që Polonia po luan aktualisht në politikën e BE-së. Ne e dimë që ëndrra për t’u bërë pjesë e BE-së ndahet nga shumë shqiptarë dhe duam t’u vijmë në ndihmë shqiptarëve në këtë drejtim. Java e parë që Polonia merr pjesë në Javën e Kulturës. Kemi një spektakël me valle popullore polake, kemi filma, një aktivitet për fëmijë. Ka edhe dhe koncert xhazi, që do zhvillohet në Tiranë dhe Durrës. Kemi programe posaçërisht për të rinjtë. Shpresoj se do të kemi pjesëmarrje të gjerë,” tha ambasadori Wojciech Unolt.
“Jemi në edicionin e katërt të Javëve Kulturore Ndërkombëtare. Këtë vit kemi një program të ngjeshur me aktivitete dhe shumë shtete i janë shtuar kalendarit tonë, si Polonia dhe Maqedonia e Veriut, që do të vijojë më pas,” tha Irena Prici, drejtuese e Politikave të Artit në Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
Me 20 shtete pjesëmarrëse, një numër gjithnjë e më të madh artistësh vendas dhe ndërkombëtarë, dhe një kalendar të pasur me aktivitete nga veriu në jug, Javët Kulturore Ndërkombëtare 2025 do të sjellin atmosferën në çdo cep të Shqipërisë.
Këtë vit, Javët Kulturore Ndërkombëtare zhvillohen në një moment të veçantë, pasi Tirana mban titullin e Kryeqytetit Mesdhetar të Kulturës dhe Dialogut për vitin 2025.
Gazetare: Xhilda Kondi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




