Berisha prezanton programin për bimët medicinale: Negociata për zero tarifa me SHBA dhe kompensim për eksportuesit

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka prezantuar sot programin e tij për zhvillimin e sektorit të bimëve medicinale dhe aromatike, duke e cilësuar këtë fushë si një pasuri kombëtare që ka qenë e neglizhuar nga qeveria aktuale.
Në një takim me prodhues dhe eksportues të bimëve medicinale, Berisha tha se do të ndërmerren hapa konkretë për eliminimin e tarifave me SHBA dhe për kompensimin e plotë të eksportuesve në rast pengesash doganore.
“Qëndrimi ynë ndaj tarifave është negociata me qeverinë e SHBA për zero tarifa.Ne do vendosim zero tarifa me kërkesën që qeveria amerikane të na përgjigjet edhe ne me zero tarifa. Supozojmë se qeveria amerikane, për arsyet e veta, nuk e adapton këtë – ne do u kompensojmë plotësisht tarifën e eksportit të vendosur nga vendet ku ju eksportoni.” deklaroi Berisha.
Ai u zotua se mbështetja për këtë sektor do të jepet pa burokraci, por me dokumentacion të thjeshtuar që pasqyron realisht punën dhe prodhimin.
“Ne do bëjmë gjithçka me grante… dhe ato nuk do i merrni mbi bazën e burokracisë, por me dokumentacionet më të thjeshta. Ju do merrni të gjithë mbështetjen bazuar në faturat që shisni, bazuar në dokumentet që sillni, bazuar në punën që harxhoni në proceset e trajtimit të këtij sektori.”, deklaroi kreu demokrat.
Berisha theksoi se përveç përkrahjes ekonomike, programi i tij parashikon edhe investime në kërkimin shkencor dhe kreditim të butë për sektorin.
“Ne do fuqizojmë shumë sektorin e studimeve të bimëve aromatike dhe do angazhojmë ekspertizën shkencore më të mirë. Kredi të buta, në të cilat qeveria do të mbulojë 80 përqind të interesit, do ofrohen për ju sipas sektorëve.”, vijon Berisha.
Gjatë fjalës së tij, ai kritikoi ashpër qeverinë Rama për, siç u shpreh ai, braktisjen e fermerëve shqiptarë.
“Edi Rama prodhimin bujqësor, blegtoral, e ndëshkoi me Ballkanin e Hapur. Hapi kufijtë, si një argat i Vuçiçit, ndërkohë që Serbia i financon fermerët 8 herë më shumë se Edi Rama.”, deklaroi ai.
Në përfundim, Berisha tha se një nga prioritetet e tij do të jetë kthimi i shqiptarëve që janë larguar nga vendi, për të punuar në bujqësi me kushte dinjitoze.
“Ne do bëjmë që ata që u larguan, të cilët në të shumtën punojnë në bujqësi, të kthehen dhe të punojnë në sektor bujqësie në Shqipëri. T’u krijojmë ato kushte që kanë në vendet ku punojnë dhe të vijnë të ndërtojnë ëndrrën e tyre në këtë vend.”, tha Berisha.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




