Zgjedhjet e 11 majit – Votojnë 497 shqiptarë nga diaspora, në orën 19:00 mbërrijnë votat e para
497 emigrantë kanë votuar deri më tani dhe e kanë dorëzuar fletën e plotësuar në postë, në pritje për të mbërritur pasditen e kësaj të enjteje në orën 19:00 në Parkun Olimpik “Feti Borova”.
Zarfet do të grumbullohen dhe do të hapen pasi të përfundojë procesi i votimit më 11 maj.
Pakot zgjedhore do të mbikëqyren 24 orë nga kamerat e sigurisë dhe partitë politike.
Deri tani janë dërguar rreth 142 mijë zarfe drejt diasporës shqiptare, të cilat përfshijnë fletët e votimit për qarqet Elbasan, Tiranë, Durrës, Dibër, Kukës, Berat, Lezhë, Korçë dhe Gjirokastër.
Sipas të dhënave zyrtare, 9 mijë persona e kanë konfirmuar marrjen e zarfeve në adresat e tyre, ndërkohë që procesi i dërgimit vijon.
Numrin më të lartë të dërgesave e mban Italia me mbi 51 mijë, më pas vjen Greqia me më shumë se 43 mijë, Gjermania rreth 14 mijë, SHBA mbi 10 mijë, dhe Mbretëria e Bashkuar me gati 10 mijë zarfe të dërguara.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur që për të lehtësuar procesin t’i japë kompanisë postare numrin e telefonit dhe e-mailin e votuesit.
Sapo posta merr në dorëzim zarfin, ajo i dërgon një SMS apo një e-mail zgjedhësit, ku e njofton se në cilën ditë planifikohet t’i mbërrijë zarfi. Qytetari mund të klikojë një link dhe të ndryshojë datën e parashikuar me një tjetër datë që i leverdis.
Nëse nuk takohet dot me postierin në shtëpi, i jepet adresa e saktë e zyrës postare të DHL-së, ku brenda 5 majit duhet të tërheqë zarfin. Pakot zgjedhore që nuk janë tërhequr deri në këtë datë do të kthehen në Shqipëri.
Për pakot e tërhequra, votat e tyre duhet të mbërrijnë në Shqipëri pas orës 19:00 të datës 11 maj. Pas këtij afati, çdo votë konsiderohet e pavlefshme.
Gazetare: Jonida Omeri
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




