Lezhë- Vritet Gjovalin Prendi në fshatin Pllanë, një vit më parë i vranë të birin, Roan Brahimi në Athinë

Aktualitet | 2 vite më parë

Krisma armësh janë dëgjuar mbrëmjen e së enjtes në fshati Pllanë në Lezhë, ku për pasojë ka humbur jetën, Gjovalin Prendi i moshës 64- vjeç.

Sipas policisë, në fshatin Pllanë, në rrethana ende të paqarta është vrarë me armë zjarri shtetasi Gj. P. 64 vjeç, banues në Pllanë, Lezhë.

Ende është e paqartë dinamika e kësaj vrasje si dhe motivet, por të dhënat e para flasin për një atentat të mirëfilltë.

Sipas gazetarit të RTSH-24 Gjovalin Prendi është babai Roan Brahimit, alias Sidorel Prendi, i cili është vrarë po me atentat rreth një vit më parë në Greqi.

Forca të shumta të Policisë kanë shkuar në drejtim të vendit të ngjarjes të mbështetura edhe nga Forca Kombëtare e Sigurisë, Njësia Shkodër.

“Ndërkohë është ngritur një grup i posaçëm hetimor i cili ka shkuar  në vendin e ngjarjes, dhe nën drejtimin e Prokurorit, po kryejnë veprimet hetimore me qëllim zbardhjen e ngjarjes.”, njofton policia.

Kush ishte Roan Brahimi?

Roan Brahimi, i njohur edhe me emrin, Sidorel Prendi nga Pllana e Lezhës, ishte një emër I njohur i botës së nëndheshme të krimit.

Ai u vra me armë zjarri në një atentat mafioz në Athinë. Dyshohet se ai kishte lidhje me vrasjen, Gentjan Bejtjes në Larushk të Krujës.

Një nga personat e arrestuar nga policia si transportues i vrasësve, rezultoi të ishte kunat me Roan Brahimin. Ky i fundit, në bashkëpunim me grupin e Niklës, kishte dyshime të forta se kanë bashkëpunuar për të kryer këtë atentat, por edhe të përfshirë në disa ngjarje kriminale në Kurbin dhe Lezhë. Ata mendohet të kenë qenë financues dhe organizator, për të goditur grupet rivale që i shihnin si rrezik për sigurinë e tyre. 

Roan Brahimi u vra në një atentat në lagjen Vyronas të Athinës, më 9 maj 2024. Vrasja u bë në sy të gruas së tij të dytë dhe djalit të vogël. Sipas mediave greke, Brahimi kishte pak ditë që kishte ardhur në Greqi për pushimet e Pashkës, pasi jetonte në Dubai nga frika e një atentati. Roan Brahimi, alias Sidorel Prendi, njihej edhe si rival i Ervis Martinajt, pasi ishte i shpallur në kërkim për tu pyetur lidhur me vrasjen e Brilant Martinajt, (kushëriri i Ervis Martinajt) atentat i ndodhur më 17 korrik 2022.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme