Durrësi, destinacion gjithëvjetor. Rezervohet 90% e kapacitetit hotelier në qytetin bregdetar

Aktualitet | 2 vite më parë

90 për qind e hoteleve në Durrës janë tashmë të rezervuara për festat e Pashkës.

Turistët nga Kosova janë sërish në krye të listës, por këtë vit nuk mungojnë as vizitorët vendas dhe ata të huaj, kryesisht nga Bullgaria.

“Duke qenë se është një fundjavë e gjatë dhe njëkohësisht festa e Pashkëve, ka shumë rezervime të shtetasve nga Kosova, të cilët kanë preferuar që këtë fundjavë të vijnë në Shqipëri. Me informacionet që kam, gati gjithë hotelet e Durrësit janë rezervuar me turistë nga Kosova. Shtetasit e huaj janë bullgarë, të cilët e kanë si traditë prej më shumë se 5–6 vitesh, që vijnë në Shqipëri dhe festojnë të organizuar festën e Pashkëve. Tradita jonë është një traditë që përshtatet shumë me tyren, plus që pëlqehet shumë nga ta,” thotë operatori turistik Blerim Norja.

Krahas akomodimit, operatorët turistikë kanë ofruar edhe paketa festive me çmime të përballueshme për çdo buxhet.

“Kemi përgatitur ofertat tona, të cilat zakonisht janë me vakte të përfshira, që variojnë nga 40–50 euro personi, ku përfshihen të gjitha vaktet dhe facilitetet e hotelit,” tregon z. Norja.

Durrësi duket se po konsolidohet gjithnjë e më shumë si një nga destinacionet më të preferuara jo vetëm për pushime, por edhe për festat, jo vetëm për afërsinë gjeografike, por edhe për mikpritjen ngrohtë dhe ofertat e përballueshme.

Gazetar: Omer Saraçi

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme