JD Vance në Vatikan, zv.presidenti amerikan dhe kardinali Parolin flasin për shqetësimet globale

Botë | 2 vite më parë

Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance u takua në Vatikan me zyrtarë të lartë të Kishës Katolike. 

Vance, i cili u përplas me Papa Françeskun për politikën e emigracionit të presidentit amerikan Donald Trump, u takua me kardinalin Pietro Parolin, Sekretarin e Shtetit të Vatikanit dhe zëvendësin e tij.

Sipas një deklarate të publikuar pas takimit nga Selia e Shenjtë, ata zhvilluan bisedime dhe shkëmbyen mendime mbi situatën ndërkombëtare.

“Vance dhe kardinali Parolin diskutuan kryesisht në lidhje me vendet e prekura nga lufta, tensionet politike dhe situatat e vështira humanitare, me vëmendje të veçantë tek emigrantët, refugjatët dhe të burgosurit,” thuhet në deklaratën e Vatikanit.

Papa Françesku, i cili ka kufizuar daljet e tij publike me urdhër të mjekëve, ndërsa po shërohet nga pneumonia e dyfishtë, nuk mori pjesë në takim.

Zv.presidenti Vance ndodhet në Itali që nga e premtja, ku po merr pjesë edhe në festimet e Pashkës.

Gjatë qëndrimit në Romë, ai së bashku me familjen e tij mori pjesë në Liturgjinë e së Premtes së Madhe në Bazilikën e Shën Pjetrit.

Papa dhe zyrtarë të tjerë të Vatikanit kanë kritikuar disa politika të administratës Trump, duke përfshirë planet e presidentit amerikan për të dëbuar miliona emigrantë nga SHBA, por edhe ndërprerjen e programeve të ndihmës së huaj amerikane. 

Gazetare: Vjollca Zharri

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme