Festa e Pashkës, mijëra besimtarë pritën në mesnatë ngjalljen e Krishtit

Aktualitet | 2 vite më parë

Besimtarët e krishterë – katolikë, ortodoksë e ungjillorë kremtojnë sot (20 prill) festën e Pashkës, ringjalljen e Jezu Krishtit.

Këtë vit jubilar ekumenik Pashkët festohen në të njëjtën ditë si në kalendarin Gregorian ashtu edhe në atë Julian.

Veza e kuqe është një veçori karakteristike e kësaj feste.

Festa e Pashkëve në Lezhë, qindra besimtarë i bashkohen ritualit fetar në katedralen e “Shën Nilloit”

Me qirinjtë e lutjes në duar, që simbolizojnë dritën e përjetshme, të krishterët në Lezhë, kremtuan Pashkët. Qindra besimtar ju bashkuan meshës së shenjtë që simbolizon ringjalljen e Jezu Krishtit, e cila u mbajt në katedralen e “Shën Nikollit”.

Rituali i cili zgjati deri në mesnatën e së shtunës, u drejtua nga ipeshkvi i Dioqezës së Lezhës monsinjor Otavio Vitale i cili në fjalën e tij para besimtareve, duke ju referuar simbolikës së festës së pashkëve tha “kjo është natë që shpëton mbi tokë besimtaret dhe Jezu Krishtin nga mëkati dhe korrupsioni i botës”.

Pas meshës së shenjtë, besimtarët e Krishterë janë drejtuar në shtëpitë e tyre me dritën e jetës dhe mesazhin Krishti u ringjall.

Pashkët janë festa me e madhe e kalendarit liturgjik të Kishës Katolike dhe të kishave të tjera të krishtera, të cilat festojnë Ringjalljen e Jezusit, sikundër e tregon Besëlidhja e Re.

Fier, qindra besimtarë marrin pjesë në meshën e shenjtë të Pashkëve në kishën e Shën Gjergjit

Qindra besimtarë katolikë dhe ortodoksë, banorë të zonave dhe emigrantë të ardhur për këto ditë kurorëzuan në kishën e Shën Gjergjit në Fier në mesnatë momente emocionuese.

“Krishti u ngjall, Pashkë të gëzuara, plot dritë nga drita e Perëndisë”, uroi Mitropolititi i Fierit At Nikolla.

Qielli i Fierit mesnatën e së shtunës u ndriçua nga fishekzjarrët ndërsa qindra qytetarë këmbenin urimet e Pashkëve.

Mijëra besimtarë në Korçë kanë festuar Pashkët pranë Katedrales “Ringjallja e Krishtit”. Si çdo vit, Mitropolia e Shenjtë ka organizuar këtë ceremoni të veçantë. Mesha u udhëhoq nga At Ilia Kotnani, dhe në mesnatë ai shpalli ringjalljen e Jezu Krishtit, e shoqëruar me tingujt e këmbanave dhe qirinj të ndezur me dritën që simbolizon shpresën.

Mijëra besimtarë në qytetin e Elbasanit kremtuan gjatë mesnatës Pashkët Ortodokse dhe Katolike, një ndër festat më të rëndësishme të besimit të krishterë. Nën atmosferën e gëzimit dhe me qirinj në duar, ata u lutën për më shumë shëndet dhe mbarësi, teksa ndoqën meshën e mbajtur nga Imzot Andoni, Mitropoliti i Elbasanit, Shpatit dhe Librazhdit.

Qindra besimtarë katolikë në Shkodër morën pjesë në meshën e shenjtë të vigjiljes së Pashkës në Katedralen “Shën Shtjefni”. Liturgjia e shenjtë e festës, që simbolizon triumfin e dritës mbi errësirën dhe jetës mbi vdekjen, u udhëhoq nga Arqipeshkvi Metropolit i Arqidioqezës Shkodër-Pult, Imzot Giovanni Peragine. Gjatë meshës u përcollën mesazhe shprese dhe dashurie.

Në Berat, Pashka u kremtua në Katedralen “Shën Dhimitri”, ku Imzot Asti, i shoqëruar nga At Johan Qako dhe At Petraq Simsia, udhëhoqën ceremoninë e shenjtë. Qindra besimtarë ortodoksë morën pjesë në këtë ngjarje, duke u mbledhur brenda dhe jashtë ambienteve të katedrales, për t’u lutur në një nga ditët më të rëndësishme të kalendarit të krishterë, me dëshirën për më shumë paqe dhe shëndet.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme