Rama, takim me gratë në Kavajë: Në PS duam 50 mijë gra dhe vajza. Spiropali: Kemi besim te rinia
Kryeministri Edi Rama, duke folur në një takim me gra dhe vajza të Kavajës, tha të hënën se gjinia femërore e gjen veten më të përfaqësuar dhe me fuqi vendimmarrëse në Partinë Socialiste.
Takimi u zhvillua në vazhdën e fushatës elektorale për 11 Majin.
Kryesocialisti shpalli objektivin e partisë për sa i përket ndarjes gjinore, duke iu përgjigjur edhe kritikëve për tubimet e tij të përsëritura, që kanë në fokus gruan shqiptare.
“E nisëm me 12 për qind në total gra në PS dhe hap pas hapi kemi arritur sot në 40 për qind. Nga rreth 100 mijë anëtarë të regjistruar të PS-së kemi diku te 39 mijë gra. Por unë besoj që as duhet të kënaqemi, as duhet të ndalemi këtu, deri kur në PS të bëhen 50 mijë gra dhe vajza dhe kur numri të jetë 50% me 50%, por një vajzë më tepër. Kemi bërë hapa të konsiderueshëm dhe kjo pasqyrohet me shumë domethënie në jetën publike ku gratë në këshillat bashkiakë janë 50%, në parlament janë shumë më tepër se dikur, kur parlamenti dukej si odë otomane. Në qeveri janë mbi 50%, në drejtimin e sipërmarrjeve kanë arritur në thuajse 30%.
Ne sot kemi shumë më tepër gra dhe vajza në vendimmarrje. Ka filluar një sëkëlldi, që shprehet sidomos nga ato pasqyrat e kënetës në mbrëmje nëpër ekrane, kur dalin këta të tërë dhe thonë se Edi Rama po ofendon burrat. Unë nuk po ofendoj burrat. Unë thjesht konstatoj një fakt që gjysma e burrave janë shumë në rregull, ka edhe një gjysmë tjetër që janë çyrykë,” deklaroi z. Rama.
Kryeministri adresoi edhe fenomenin e dhunës ndaj grave dhe trajtimin e pabarabartë të vajzave, duke theksuar se megjithëse ka rënie të këtyre treguesve, akoma mbetet punë për t’u bërë.
Takimi me të rinjtë në Spille, Kavajë
Bashkëdrejtuesja politike e Partisë Socialiste për qarkun e Tiranës, Elisa Spiropali, tha në takimin e radhës se në zgjedhjet e 11 majit nevojitet pjesëmarrja e gjerë e të rinjve.
Takimin me të rinj dhe të reja të qytetit të Kavajës iu drejtua edhe kryeministri Rama.
“Shpesh politika tingëllon si një fjalë e keqe, apo pjesëmarrja duket si një angazhim që sjellë më shumë telashe se sa të mira, por faktet kanë treguar se e kundërta është e vërtetë. Kur të rinjtë janë bërë bashkë, burrat, gratë e këtij vendi kanë votuar si duhet, Shqipëria ka ecur përpara. Kam shumë besim që sot është momenti për të treguar në Kavajë dhe Rrogozhinë se vota e 11 majit shkon përtej ngjyrave politike, përtej dasive tona, për t’u bashkuar të gjithë për Shqipërinë 2030 në BE, për pasaportën evropiane dhe më shumë se të rinjtë dhe të rejat askush nuk e ndien këtë nevojë,” tha znj. Spiropali.
Kryeministri Rama, ndërkaq, e drejtoi kritikën nga rivali kryesor, Partia Demokratike, duke renditur pikat e dobëta të fushatës opozitare, kryesuesin e saj dhe procesin e primareve në PD. Ai shtoi se Kavaja nuk ka pse të konsiderohet më si bastioni i demokratëve.
“Kjo forcë përfaqësohet nga një individ 80 e kusur vjeç, që sot për fat të keq sa herë flet i fiket llamba dhe ngatërrohet me ato që thotë, rroma-përtoma, dhe kërkon votën.
Nuk duhet ta falin jo për ne, por për dinjitetin e tyre. Jo për Europën, BE-në, Shqipërinë 2030, që në fakt janë më të rëndësishmet, por për respekt ndaj vetes së tyre se dolën dhe votuan për të pasur kandidat Kavaja nga ana e tyre njeriun që donin ata, kandidati i Kavajës doli i pari në primaret e famshme të Tiranës dhe nuk është gjëkundi. E ka ngrënë ‘bufi’,” tha kryesocialisti.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




