Banka e Shqipërisë: Sektori bankar shfaq qëndrueshmëri ndaj rreziqeve ndërkombëtare

Rritja ekonomike gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit 2024 u shoqërua me ulje të papunësisë dhe rritje të pagave.
Banka e Shqipërisë vlerëson se në 6-mujorin e dytë të 2024-ës, depozitat dhe kreditë u zgjeruan, ndërsa fitimi u përmirësua në mënyrë të ndjeshme.
Megjithatë, sfidat për veprimtarinë bankare dhe financiare vlerësohen në rritje.
“Kemi zhvillime të rëndësishme në nivel ndërkombëtar për shkak të situatës gjeopolitike dhe të luftës tregtare. Për këtë arsye mbetet për t’u parë rezultati i këtij zhvillimi. Sidoqoftë, në rast se shoqërohet me rritje të pasigurisë ka shumë mundësi që të ketë rritje të normave të interesit, të presioneve inflacioniste, dhe kjo do të ndikojë në termat e konsumit dhe të investimeve në përgjithësi. Edhe ekonomia jonë mund të preket nga këto,” shprehet Klodian Shehu, drejtuesi i Departamentit të Stabilitetit Financiar në Bankën e Shqipërisë.
Qëndrueshmëria e sektorit bankar ndaj rreziqeve, thotë z. Shehu, vlerësohet e mirë në bazë të rezultateve të ushtrimeve të provës së rezistencës.
“Të dyja ushtrimet e provës së rezistencës tregojnë që në përgjithësi sektori bankar paraqet një gjendje mjaft të mirë financiare. Sidoqoftë, për shkak të pasigurive, që vijnë kryesisht nga zhvillimet ndërkombëtare, është e këshillueshme që sektori bankar ta shfrytëzojë këtë periudhë të mirë financiare me norma të larta fitimi për të përmirësuar sistemet e vetëkontrollit dhe të administrimit të rreziqeve,” thotë drejtori i Departamentit në BSH.
Rezultatet e ushtrimit të provës së rezistencës ndaj rrezikut të përhapjes tregojnë gjithashtu që segmente dhe subjekte të veçanta të sektorit bankar janë më të rrezikuara në rastin e goditjeve.
Gazetare: Amela Koçerri
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




