Rama nga Fieri: Shqipëria drejt pavarësisë energjetike dhe eksportit neto të energjisë brenda kësaj dekade

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot nga Fieri se objektivat afatgjata për zhvillimin e qëndrueshëm në sektorin ekonomik janë të lidhura ngushtë me diversifikimin energjetik të vendit dhe pavarësinë e plotë energjetike.
Kryeministri theksoi se brenda kësaj dekade, Shqipëria pritet të arrijë pavarësinë e plotë energjetike dhe të transformohet në një vend eksportues neto të energjisë elektrike.
“Mendojmë se pavarësia e plotë energjetike e Shqipërisë është afër dhe transformimi në një vend eksportues neto të energjisë elektrike është afër. Brenda kësaj dekade Shqipëria do të jetë totalisht i pavarur në raport me energjinë nga çdo ndikimi i jashtëm dhe do të kalojë në eksport neto”, tha Rama.
Rama u shpreh se strategjia e qeverisë synon diversifikimin e burimeve të energjisë, duke kaluar nga një sistem i bazuar pothuajse tërësisht në hidrocentrale drejt burimeve të rinovueshme si dielli dhe era.
“Diversifikimi i bazës, që deri dje varej vetëm nga hidrocentralet , dhe kjo është gjithnjë e më e paparashikueshme për shkak të ndryshimeve klimatike, ka nisur të japë rezultat. Sot, 10% e prodhimit vjen nga dielli dhe janë në fillim disa projekte të rëndësishme për energjinë nga era. Po punojmë edhe për zbatimin e teknologjive inovative si sistemi i pompimit të ujit”, u shpreh Rama.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




