Arsimi profesional – Shembulli i Jona Canellarit, nxënëse e drejtimit veterinari
Jona Canellari është një nga nxënëset e drejtimit veterinari në shkollën Profesionale Shërbime në Korçë, e cila flet me pasion për zgjedhjen që ka bërë. E rritur në një familje ku prania e kafshëve është pjesë e përditshmërisë, Jona thotë se arsimi profesional i dha mundësinë jo vetëm të mësojë më shumë mbi kujdesin ndaj tyre por edhe të përgatitet për një profesion të vlefshëm dhe të kërkuar.
“Kam zgjedhur këtë drejtim sepse jam në një familje ku kemi kafshë dhe dëshira për tu kujdesur dhe vendosa të ndjek këtë shkollë. Jam shumë e lumtur që e kam zgjedhur sepse kam mësuar shumë gjëra”, u shpreh nxënësja Jona Canellari.
Jona është një nga shumë të rinjtë që po ndjekin praktikat profesionale pranë bazës prodhuese të shkollës, ku nën kujdesin e mësuesve dhe specialistëve, përfiton aftësi të rëndësishme për të ardhmen. Për të, arsimi profesional është një rrugë e sigurt drejt punësimit. Jona u bën thirrje të rinjve të zgjedhin arsimin profesional si një mundësi konkrete për të ardhmen.
“Me këtë shkollë ke një diplomë dhe merr shumë njohuri. U bëj thirrje të gjithë moshatarëve që të zgjedhin arsimin profesional”, tha ajo.
Aktualisht, janë rreth 90 nxënës që ndjekin studimet për veterinari në këtë shkollë. Rasti i Jonës tregon qartë se kur pasioni takohet me mundësinë, krijohen baza të forta për një të ardhme të suksesshme.
Gazetare: Eftjola Fili
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




