Dështon sërish seanca për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, opozita kundërshton votimin e fshehtë

Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës ka dështuar për herë të nëntë, duke e thelluar edhe më tej ngërçin institucional që ka pasuar zgjedhjet e 9 shkurtit.
Kryesuesi i seancës, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Avni Dehari, propozoi që zgjedhja e kryetarit të Kuvendit të bëhet përmes votimit të fshehtë, një nismë kjo që u kundërshtua ashpër nga të gjitha grupet parlamentare, përveç Vetëvendosjes.
Partitë opozitare – PDK, LDK dhe AAK – e cilësuan këtë propozim si shkelje të Kushtetutës dhe rregullores së punës së Kuvendit.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, reagoi ashpër duke e quajtur këtë përpjekje “të paprecedentë” dhe “tendencë për të thelluar krizën politike”.
“Mos e ktheni Kuvendin në cirk. Kjo është fyerje për qytetarët. Nuk mund ta impononi kryetarin në mënyrë arbitrare e të kërkoni votim të fshehtë pasi nuk i keni votat publikisht,” tha Krasniqi, duke ngritur shqetësimin për “pazare të fshehta” dhe “precedentë anti-kushtetues”.
Në të njëjtën linjë, deputetja e LDK-së Hykmete Bajrami e cilësoi procedurën si “arbitrare dhe të paligjshme”, duke shtuar se partia e saj nuk do të bëhet pjesë e një shkeljeje të tillë.
Edhe përfaqësuesja e AAK-së, Time Kadrijaj, shprehu kundërshtimin e saj ndaj këtij propozimi, duke i bërë jehonë qëndrimeve të partive të tjera opozitare.
Përplasjet mes partive theksojnë se kriza për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit vazhdon, pa asnjë shenjë për një marrëveshje politike afatshkurtër.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




