“Batutat mbi idetë”, diskursi i fushatës 2025 nën lupë
Fushata për zgjedhjet parlamentare të 11 majit ka hyrë në ethet e saj finale, por ajo çka bie më shumë në sy nuk janë platformat politike apo kandidatët në terren, por batutat e liderëve dhe prania e tyre në rrjetet sociale, si një garë për vëmendje, që shpesh lë në hije përmbajtjen.
“Ka ushqim për të komentuar, pra ka ofertë programore, por ka edhe batuta. Janë të dyja të pranishme,” thotë analisti Mentor Nazarko.
“Përtej vërejtjeve që mund të kemi, duhet ta konsiderojmë një hap përpara, pasi në fushatat e mëparshme gjuha ka qenë agresive, më vulgare,” shprehet analisti Mentor Kikia.
“Partitë, gati me konsensus të heshtur, kanë hequr dorë nga trajtimi i çështjeve për qytetarët dhe e kanë zëvendësuar këtë me retorikë personale, denigruese ndaj njëri-tjetrit,” thotë Afrim Krasniqi nga Instituti i Studimeve Politike.
Sipas analistëve, fushata duket më shumë si një tur personal politik, sesa një përballje idesh – lideri vë në qendër unin.
“Kulti i liderit dominon dhe kjo është pjesa më e trishtë, nisur nga nevoja për t’u shëruar nga këto sëmundje të tranzicionit politik shqiptar,” shprehet z. Nazarko.
“Fushatat janë krejtësisht të personalizuara nga lidershipi politik. Nuk është se bën ndonjë dallim nga fushatat e mëhershme,” shton z. Kikia.
Shumica e premtimeve te kandidatëve jepen në formën e spoteve të shkurtra, batutave të bujshme apo videove të kuruara për rrjete sociale.
“Të gjithë kandidatët kryesorë në Tiranë përdorin ‘Reels’ dhe po t’i keni parasysh, janë pa fjalë të individit, të shoqëruara me muzikë,” thotë z. Krasniqi.
Debatet mes alternativave mungojnë, ndërsa retorika është shpesh e ashpër dhe personale. Teknika për të tërhequr vëmendjen është bërë më e rëndësishme se përmbajtja.
“Nga zgjedhjet e kaluara, dhe ato të vitit 2021 veçanërisht, në këto zgjedhje ka një mungesë totale të ballafaqimit mes palëve,” shprehet z. Kikia.
Ndërsa partitë garojnë për të marrë zemrat dhe klikimet e votuesve, mbetet për t’u parë më 11 maj sa kjo do të përkthehet në vota.
Gazetare: Rugova Dunisha
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




