Rama përmbyll takimin elektoral në Gjirokastër: Votoni përtej fanellës politike, të mos humbasim shansin historik për në BE

Politikë | 2 vite më parë

Në takimin përmbyllës elektoral në Gjirokastër për zgjedhjet e 11 majit, kryeministri Edi Rama vuri theksin tek shansi historik i vendit për t’u bërë pjesë e familje evropiane. Rama tha se kjo është një mundësi që nuk duhet humbur, ndërsa u bëri thirrje shqiptarëve dhe diasporës në Greqi që të votojnë për vendin në BE dhe të shohin përtej ngjyrave politike.

Duke iu referuar opozitës, Rama u shpreh se ata janë politikanë të pashpresë që kërkojnë të zhbëjnë drejtësinë, por edhe ta fusin vendin në “kënetën e tyre politike”.

“Shtëpia e shqiptarëve është në perëndim dhe në Evropë, jo në lindje. Historia e vendin tonë është e dhimbshme, por gjithmonë ka qenë drejt Evropës. Por ne jemi sot ende të huaj në Evropë. Na e lanë me shkrim që “dielli për ne lind andej nga perëndon”. Historia ishte e vështirë dhe e ngatërruar nga të mbrapshtit brenda vetes se nga armiqtë e tyre. Duhet të kapërcejmë kufijtë e luftës politike dhe ngjarat e fanellave partiake dhe duhet të votojmë të gjithë së bashku për të gjithë fëmijët për një votë që do shkojë për shpresën e një Shqipëria në BE dhe jo për një politikanë të pashpresë në kënetë.

Diaspora të vendos me votë për të çuar në vend këtë amanet shekullor për t’u dhënë fëmijëve të tyre dhe vetes në Greqi pasaportën evropiane. Ky nuk është thjeshtë dokument udhëtimi. Njohja e pensioneve për një vend të huaj siç jemi ne dhe një vend të BE siç janë ata, bëhet me negociata me marrëveshje. Ne mbyllëm atë me Italinë, por kjo me Greqinë është më e vështira. Ne i kemi nisur negociata por nuk dimë sa kohë mund të marri. Nëse ne mbyllim negociatat me BE në 2027 dhe nëse bëhemi pjesë e BE brenda 2030 atëherë kjo pasaportë evropiane në Greqi bën njohjen automatike të pensioneve, nuk ka më nevojë për marrëveshje me shtetin”, tha Rama.

Fokusi ishte edhe drejtësia e re, ku Rama u shpreh se i duhen votat e shqiptarëve për ta bërë atë të pakthyeshme dhe të barabartë për këdo me hyrjen e vendit në BE.

Në fund, Rama tha se shqiptarët duhet të fokusohen tek e ardhmja dhe amaneti i të parëve se “dielli për ne, lind andej nga perëndon”.

“Për herë të parë Shqipëria po përjeton një përpjekje historike për të vënë barazinë para ligjit. Ju kam kërkuar timon për një drejtësi që shikon vetëm drejtë, por për ta bërë atë të paprekshme nga asnjë buf kënete apo kukumjaçkat e partive të reja. Duhet futur Shqipëria në BE. Ajo derë nuk rri hapur përditë, dera hapet kur i intereson atyre dhe sot jemi te pragu dhe ata na duhan brenda. O do bëhemi bashkë dhe të mbështesim Shqipërinë për të hyrë në BE, ose do të lemë këtë shans historik të na iki, siç kemi lënë të tjerat. Duhet të fokusohemi te interesi kombëtar dhe amaneti i të parëve, duhet të bëjmë për të gjithë fëmijët e Shqipërisë”, tha Rama.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme