“Sot Opozita është shumicë”, Berisha nga Fieri: Kjo natë 12 vjeçare e ka një fund, dhe fundi i saj është 11 maji

Zgjedhje 2025 | 2 vite më parë

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi takimin e tij përmbyllës me qytetarët e Fierit, ku prezantoi listën e kandidatëve për deputet në zgjedhjet e 11 majit.

Gjatë fjalës së tij Berisha theksoi se qytetarët tashmë kanë në dorë “fitoren më madhështore”, një fitore që i përket gjithë shqiptarëve që besojnë në liri, dinjitet dhe vlerat e familjes.

Berisha prezantoi disa nga pikat kryesore të Programit të PD-së, përfshirë vendosjen e pensionit minimal në 200 euro, rrogën minimale në 500 euro, si dhe miratimin e statusit për minatorët.

Duke akuzuar qeverinë për shpërdorim dhe mungesë dinjiteti ndaj qytetarëve, ai përmbylli fjalën me një thirrje për mobilizim të plotë në këto ditë vendimtare, duke i cilësuar zgjedhjet si një moment historik që ndan epokat në Shqipëri.

Në programin e Shqipërisë Madhështore, theksoi Berisha, shqiptarët janë më të bashkuar se kurrë në historinë e tyre.

“Ndaj dhe, këto 8 ditë duhet të bëjmë natën ditë, fjalën mjaltë, të trokasim në çdo zemër për t’u bashkuar në një moment epik për kombin, në një moment që ne ndajmë epokat. Sot, Opozita nuk është më kurrë pakicë. Sot, çdo shqiptar i cili konsideron dinjitetin njerëzor si shtyllë kryesore të lirisë dhe ekzistencës së saj, është për opozitën. Dhe ju, të dashur familjarë të këtij dhëndri demokrat, jeni me Opozitën. Ju, jeni me Opozitën, sepse, në rast se, në familjarët tuaj keni të moshuar dhe pensionistë, Opozita më 11 maj, në 100 ditët e para u rikthen dinjitetin pensionistëve të familjes suaj dhe të të gjitha familjeve shqiptare.”

Duke folur mbi programin elektoral të PD-së, Berisha premtoi se në 100 ditët e para, ne vendosim minimumin jetik për çdo shqiptar, 200 euro.

“Ne, vendosim pensionin minimal 200 euro. Ne, vendosim statusin e minatorit për çdo qytetar të ëktij qarku që ka punuar në naftë. Ne, vendosim rrogën minimale 500 euro. Ja pra, të gjitha ata që janë me këto, janë me shumicën. Ne jemi sot shumica e shqiptarëve. E di kush janë pakicë sot? Pakicë janë: Edi Rama, Lubi Balluku që plaçkisin, grabisin. Ju, pensionistët, rrogëtarët, mjekët, mësuesit, naftëtarët u grabisin me miliarda euro dhe pastaj bëjnë fushatën alla Zegjineja, apo Zeqirie, si quhet kjo. Jo, të dashur familjarë të dhëndrit, ju jeni me ne. Sepse ju, nuk mund të mohoni, se të trajtosh pensionistin me një pension që, nuk i mjafton as për kafshatën. Të trajtosh pensionistin me një pension që nuk blen dot ilaçet, është krim.”

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme