Durrës, Berisha: 11 maji është një ditë e madhe në betejën e shqiptarëve për dinjitet njerëzor

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha zhvilloi të martën në mbrëmje një takim elektoral në qytetin e Durrësit, në kuadër të mbylljes së fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025 në këtë qark.
Në fokus të fjalës së tij ishte programi elektoral i PD-së dhe i Koalicionit ‘Aleanca për Shqipërinë Madhështore’.
Sipas tij, qeveria e ardhshme do të ketë në epiqendër familjen, fëmijët dhe të rinjtë.
Berisha nënvizoi se pakti kombëtar për rininë do të jetë udhërrëfyesi i qeverisjes së PD dhe i koalicionit ASHM.
“Programi ynë ka një zotim solemn, t’i kthejë kombit rininë e rij. Të kthejë Durrësin dhe kombin në moshën e rinisë. Ndaj dhe jam këtu sot për të shpallur për mbarë të rinjtë shqiptarë se pakti kombëtar për rininë do të jetë udhërrëfyesi ynë për të rikthyer kombin në rininë e tij. Do të jetë pakti me të cilin të rinjtë shqiptarë do ndërtojnë në Durrës dhe në Shqipëri ëndrrën e tyre rinore. Do jetë pakti me të cilin ne do rikthejmë të rinjtë shqiptarë nga mbarë bota”, deklaroi Berisha.
Sipas tij, do të dyfishohen investimet për arsimin, për rikthimin tek shkollat moderne, tek mësues që nuk do paguhen kurrë nën 1500 euro, tek shkollat me teknologjitë më të larta, si dhe do të hiqet mesatarja për universitetet.
Berisha theksoi se çdo i ri dhe e re që diplomohet, në kuadrin e paktit kombëtar për rininë, do ketë një vend pune të garantuar në sektor publik ose privat.
“Në 100 ditët e para, krijohet fondi i rinisë, me të cilin ne do mbështesim me grante çdo të ri. 5 mijë euro grant për çdo të ri që nis biznes apo startup. Startup Albania do ketë fondin e veçantë. Çdo sipërmarrës që punëson të rinjtë do ketë 70% zbritje në taksa. Për talentin e të rinjve, në sport, kulturë, teknologji, një fond i veçantë për ti mbështetur ata, fillimisht 5 milionë euro”, tha Berisha.
Sipas Berishës, kandidatët e PD dallojnë si nata me ditën me të PS-së.
“Këto zgjedhje ndajnë qytetarët, atdhetarët, ndajnë ata që duan Durrësin, ndajnë njerëzit me dinjitet, ndajnë njerëzit e virtytshëm nga ata të cilët komandohen nga bandat dhe krimi dhe besojnë se mund t’i imponojnë Durrësit vullnetin e tyre. Ja ku po e deklaroj para jush, vrimë miu nuk do gjejnë. Kudo që të jenë do i kapim, me Sakon, me Gjushin, me kandidatët e tyre. Për ta nuk ka vend në parlament. Për ta ka vend në koshin e plehrave të historisë.”, tha Berisha.
Sipas tij, 11 maji është një ditë e madhe në betejën e shqiptarëve për dinjitet njerëzor.
“Në betejën e shqiptarëve për mirëqenie, begati dhe punësim. Është një ditë e madhe në besimin e tyre tek Durrësi dhe Shqipëria. Shpresat dhe besimin tek e ardhmja. Durrësi i shekujve dhe mijëvjeçarëve, Durrësi i qytetarëve të mrekullueshëm, kryeurë e kombit me Perëndimin, kam bindjen më të thellë se me 12 maj gdhin i tëri siç është në shpirt, fitimtar, virtuoz, i pamposhtur. Me 11 Maj, ne ndahemi nga një lëngatë. Nga një e keqe që kaploi Durrësin dhe Shqipërinë, që i varfëroi nga viti në vit shqiptarët dhe që i largoi ata nga Shqipëria.”, theksoi Berisha.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




