Bëhet fluturimi certifikues në Aeroportin e Vlorës, Balluku: Operacional brenda verës. Rama: Në Kukës, kompania shqiptare “Air Kosova”
Në pistën e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës është ulur këtë të enjte (8 maj) avioni i parë. Ky ishte fluturimi certifikues i pistës së aeroportit, ndërsa të pranishëm ishin edhe kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Ky aeroport do të jetë operacional brenda verës së këtij viti, për të gjitha fluturimet civile ndërkombëtare, sipas ministres Balluku. Ministrja u shpreh se ky projekt ka kaluar edhe shifrën fillestare të investimit prej 104 milionë euro që ishte parashikuar, duke shkuar në 140 milionë euro.
“Ky është një moment historik për Vlorën. Sot jemi në Vlorë për të dorëzuar një vepër, sot është certifikuar pista dhe më pas do vazhdojmë me komponentët e tjerë që do ta sjellin këtë aeroport brenda kësaj vere që të jetë operacional për të gjitha fluturimet civile ndërkombëtare. Kur e nisëm këtë projekt, flitej për një investim rreth 104 milionë euro dhe terminal 5 mijë metër katrorë, sot që flasim bëhet fjalë për në investim 140 milionë euro dhe terminali është 17 mijë metër katrorë. Këtu në Vlorë do aplikohen 3 modele biznesi, që kanë të bëjnë me bërthamën, mirëmbajtja e avionëve, një sektor totalisht i ri që përveç faktit që do sjellë të ardhura shtesë në aviacionin civil, krijon edhe mundësi të re punësimi. Modeli i tretë është kargo e mirëfilltë, e papërdorur deri më sot, për ngarkesa ndërkombëtare. Ky aeroport do të lidhet me Vlorën përmes një hekurudhe, siç lidhen të gjithë aeroportet ndërkombëtare europiane. Do lidhet me hekurudhën që vjen nga Rrogozhina në drejtim të Vlorës. Ky është një aeroport i dizajnuar për fluturimet transoqeanike”, tha Balluku.
Kryeministri Edi Rama dha lajmin se pas “Air Albania” është regjistruar edhe një tjetër kompani shqiptare e quajtur “Air Kosova”, që do të operojë së shpejti në Aeroportin e Kukësit. Ndërtimin e Aeroportit të Vlorës, Rama e konsideroi si “sfidues”, teksa theksoi se do të shtohen linja prestigjioze fluturimi, duke përmendur “Qatar Airways”.
“Ky projekt që s’ka qenë aspak i lehtë dhe tejet sfidues. Mjafton të shohësh pak më larg se si i gjithë aeroporti është ngritur dy metra nga sipërfaqja e terrenit, pasi terreni është 2 metra nën nivelin e detit dhe çfarë pune e jashtëzakonshme është bërë në të gjithë pjesën e padukshme për të garantuar një platformë solide të kategoritë më të lartë ndërkombëtare. Do shtojmë linja shumë prestigjioze, duke filluar nga “Qatar Airways”. Ka nisur puna prej kohësh dhe në janar është regjistruar zyrtarisht një kompanie re shqiptare e cila do të nisë së shpejti për të mos i ndalur më fluturimet në aeroportin e Kukësit. Air Kosova do të jetë kompania tjetër shqiptare dhe këta dy avionë (Air Albania dhe Air Kosova) do jenë dy avionët e krenarisë sonë të përbashkët. Aeroporti i Vlorës do të jetë një aeroport ndërkombëtar për të gjithë vitin, jo thjeshtë aeroport turistik. Ndërsa Gjirokastra që do të jetë aeroporti i mandatit të ardhshëm, do të jetë turistik, sezonal”, theksoi Rama.

Pacolli: Të jetë ky aeroport si një trashëgimi
Me rastin e fluturimit të parë në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës, në pistë zbriti edhe biznesmeni shqiptar, dikur president i Kosovës, Behgjet Pacolli. Kompania e tij është përgjegjëse për ndërtimin e këtij aeroporti.
“Mbrëmë erdha nga një rrugë e largët, në aeroportin e Tiranës që vlonte prej punës. Shumë fluturime. Ajo më bëri edhe një herë me dije se ne duhet të përshpejtojmë dhe ta hapim shpejt këtë aeroport. Nuk është një luks, por një nevojë. Këtë iu them bashkëpunëtorëve të mi, nuk është punë për dekor, por është një punë madhështore, që do i kontribuojë familjeve tuaja, banonëve të kësaj ane. Kënaqësi të dëgjoj që do të punësohen 1 mijë punëtorë.
Do të jetë aeroporti më i bukur në rajon. Unë e di që një njeriu që e do punën e vet, i pëlqejnë gjërat e bukura. Të jetë ky aeroport si një trashëgimi. Ky aeroport ka tërhequr vëmendjen time. Kam fjetur dhe jam zgjuar me të. Kam marrë kritika ndoshta për shtyrjen e afateve, por ky aeroport do të jetë shumëfunksional, një aeroport për të cilin kryeministri ynë do të mburret,” u shpreh Pacolli.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




