Ditë zgjedhjesh nëpër BE – Kandidatët centristë fitojnë presidencialet në Rumani dhe Poloni, në Portugali forcohet e djathta ekstreme

Disa vende të Europës iu drejtuan kutive të votimit të dielën me rastin e zgjedhjeve parlamentare, presidenciale apo edhe lokale në rastin e Kroacisë.
Kandidati centrist dhe kryebashkiaku i Bukureshtit, Nicusor Dan (lex. Nikushor), raportohet se mund ta fitojë garën presidenciale, duke siguruar gati 55 për qind të votave sipas një eksit-polli. Sfidanti i tij është George Simion, një përkrahës i presidentit amerikan Donald Trump, si dhe një euroskeptik, i cili do t’i japë fund ndihmave ushtarake për Ukrainën.
“Unë fitova! Unë jam Presidenti i Rumanisë dhe do t’ia kthej pushtetin rumunëve,” shkroi Simion në Facebook. Kandidati i Aleancës për Unitetin e Rumunëve mori rreth 45% të votave, sipas eksit-pollit.

Dan ka pasur në qendër të fushatës së tij luftën kundër korrupsionit dhe mbajtjen e Rumanisë brenda rrugëtimit europian. “Na pret një periudhë e vështirë, e nevojshme për ribalancimin dhe për hedhjen e themeleve të një shoqërie të shëndetshme. Ju lutem të keni shpresë dhe durim,” tha Dan pas daljes së eksit-polleve, ndërsa rezultatet zyrtare pritet të konfirmohen.
Procesi aktual është një përsëritje e zgjedhjeve të anuluara më parë nga Gjykata Kushtetuese e Rumanisë mes shqetësimeve për ndërhyrje të huaja, që e kishin nxjerrë papritur fitues kandidatin ultranacionalist Calin Georgescu.
Zgjedhjet në Poloni: Kryebashkiaku i Varshavës në krye për balotazhin e 1 qershorit
Kryebashkiaku liberal i Varshavës, Rafał Trzaskowski, ka dalë fitues në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale të mbajtura të dielën në Poloni, duke mundur rivalin e djathtë Karol Nawrocki. Të dy do të përballen në raundin e dytë të votimeve, më 1 qershor.

Trzaskowski është pjesë e partisë Platforma Civile e kryeministrit Donald Tusk. Sipas një eksit-polli nga Ipsos, ai e fitoi garën paraprake me 30,8% të votave kundrejt rivalit të partisë Ligj dhe Drejtësi, që mori 29,1 për qind të votave. Rezultatet pritet të konfirmohen zyrtarisht.
“Ju thashë tetë muaj më parë që do të ishte garë e ngushtë – dhe është shumë e ngushtë. Ky rezultat na tregon sa të fortë dhe të vendosur jemi për të fituar zgjedhjet presidenciale. Jemi në fund. Do të fitojmë!” deklaroi Trzaskowski para mbështetësve të dielën në mbrëmje.
Parlamenti portugez mbetet pa një shumicë të qartë, forcohet e djathta ekstreme
Koalicioni i kryeministrit Luis Montenegro fitoi zgjedhjet parlamentare që u mbajtën të dielën në Portugali, por rezultatet e eksit-pollit treguan se qeveria do të jetë përsëri e brishtë dhe në nevojë për aleatë për të qeverisur vendin.
Aleanca Demokratike mori deri në 34 për qind të votave, sipas eksit-pollit, duke lënë Partinë Socialiste mes 21–26%, ndërsa partia djathtiste Chega (përk. Mjaft) mori 20–24%. Në parlamentin me 230 vende, partia në pushtet parashikohet të marrë deri në 96 deputetë, kur i duhen të paktën 166 për të pasur shumicën e vetme.

Këto janë zgjedhjet e treta të përgjithshme në Portugali në harkun e tri viteve. Gara e fundit u provokua nga humbja e mocionit të mosbesimit ndaj kryeministrit socialdemokrat Montenegro, i akuzuar për konflikt interesi në lidhje me studion ligjore të familjes së tij.
Partia Chega, e cila mbështet politikat e ashpra kundër emigracionit, e ka denoncuar korrupsionin qeveritar, por së fundmi edhe vetë është përfshirë në skandale për shkak të veprimeve të deputetëve në grupin e vet parlamentar, të akuzuar për vjedhjen e valixheve në aeroportin e Lisbonës apo për falsifikimin e firmave të një personi të vdekur, duke i shtyrë të japin dorëheqjen.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




