Mali i Zi feston 19-vjetorin e Pavarësisë, Spajiq: Shteti ynë modern është Evropa në miniaturë

Sot, më 21 maj, mbushen 19 vite nga referendumi që njohu shkëputjen e Malit të Zi nga Serbia dhe shpalljen e Pavarësisë.
Referendumi i 21 majit 2006 pati një pyetje të vetme drejtuar 419.240 banorëve pjesëmarrës ose 86,5 për qind të gjithë numrit të votuesve: “A doni që Republika e Malit të Zi të jetë një shtet i pavarur me të drejta të plota ndërkombëtare?”
230.661 qytetarë u përgjigjën pozitivisht ose 55,5 për qind e atyre që morën pjesë në referendum, ndërsa 185.002 ose 44,5 për qind votuan për të qëndruar brenda një shteti me Serbinë, si 88 vitet e shkuara.
Vendimi për referendumin u mor nga presidenti malazez Filip Vujanoviq.
“Ne qëndrojmë mbi themelin e një shteti mijëravjeçar, një vazhdimësi historike që është pjesë e pandashme e trashëgimisë kulturore evropiane dhe historiografisë evropiane. Ne e kemi ndarë fatin e popujve dhe shteteve të kontinentit tonë dhe gjithçka që përfaqëson Mali i Zi modern është Evropa në miniaturë. Multietniciteti, multikulturalizmi dhe bashkekzistenca e besimeve që kemi trashëguar, të ruajtura përmes të gjitha trazirave dhe transformimeve historike, janë vlera që praktikisht vërtetojnë se ku e kemi vërtet vendin.
Vitin e ardhshëm do të shënojmë dy dekada nga rivendosja e pavarësisë. Jam thellësisht i bindur se është detyrimi i brezit tonë që ta çojë Malin e Zi – në këtë përvjetor të madh – aty ku i takuar gjithmonë. Dy vitet e ardhshme do të jenë testi përfundimtar i pjekurisë dhe gatishmërisë së shoqërisë sonë për të arritur kolektivisht këtë ëndërr brezash që është e arritshme. Synimi ynë është që Mali i Zi të përmbushë të gjitha kërkesat e procesit të negociatave deri në fund të vitit të ardhshëm dhe të bëhet anëtar i plotë i BE-së deri në vitin 2028,” tha kryeministri Millojko Spajiq me rastin e përvjetorit.
Mali i Zi ishte e vetmja republikë e mbetur me Serbinë pas shpërbërjes së Jugosllavisë në fillimvitet 1990. Deri atëherë vendi e kishte provuar pavarësinë për një periudhë të shkurtër, në vitet 1878–1918.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




